Një pjesë e mirë e vendeve evropiane kanë drejtim me rotacion të shtetit, ku përfshihen presidenti dhe kryeministri. Franca ka president të fortë si Turqia, kurse Gjermanja kryeministër të fortë si kancelarja aktuale Angela Merkel. Edhe Shqipëria ka këtë mënyrë qeverisjeje, kryeministër i fortë dhe president kryesisht honorifik.
Por ka disa shtete evropiane që janë Mbretëri. Mes tyre Britania e Madhe, Belgjika, Spanja, Suedia, Holanda, si dhe principet si Luksemburgu dhe Lihtenshtejn.
Shumë njerëz nuk e dinë se sa fitojnë anëtarët e familjeve mbretërore që nuk janë monarkë dhe vetë monarkët.
Më poshtë gjeni disa prej tyre.
Familja Mbretërore britanike merr një ndihmë qeveritare, por ajo nuk i hyn shumë në sy sepse fitimet nga pronat i kanë marramendëse.
Mbretëresha, Princi dhe dukët e dukesha mbahen nga të ardhura në portofole investimesh dhe prona.
Dukati i Lancaster është për Mbretëreshën dhe Dukati i Cornwall për Princin e Uellsit. Ata mund t’i shfrytëzojnë si të duan dhe u sjellin rreth 25 milionë euro të ardhura në vit.
Duka dhe Dukesha e Kembrixhit, nuk kanë asnjë pagë, por ato varen nga Princi Charles. Anëtarët mbretërorë aktivë marrin atë që Mbretëresha dhe Princi Charles vendosin t’u japin.
Në Danimarkë, shteti paguan monarkinë me fondet e taksapaguesve dhe shumën e marrë e rregullon secili anëtar i familjes. Kështu, Princi i Kurorës, Frederik dhe bashkëshortja e tij, Mary Donaldson, kanë të drejtën e 240 000 eurove në vit. Në tërësi, familja mbretërore daneze merr 975 000 euro në vit.
Në Norvegji, monarkia ka asete me vlerë 40 milionë euro. Për mbretin Harald dhe mbretëreshën Sonja janë caktuar 1,5 milionë euro në vit, kurse për Princin e Kurorës, Haakon dhe bashkëshorten e tij, Mette-Marit, një total prej një milion eurosh.
Në Spanjë, familja mbretërore ka një buxhet të përgjithshëm prej 8,4 milionë eurosh në vit, që përfshin kuotat mujore të tre anëtarëve: Mbretit Felipe (pak më shumë se 250 000 euro), mbretëreshës Letizia (139 000 euro) dhe mbretëreshës Sofia.
Në Luksemburg, Duka i Madh nuk ka pagë, por shpenzime personale prej rreth 270 000 eurosh në vit. Sakaq ai merr çdo vit dhe 10 milionë euro për të paguar shpurat dhe për të mirëmbajtur kështjellat. Pasuria, trashëgimia dhe bizneset e Henrit të Luksemburgut kapin vlerën e tre miliardë eurove.
Në Lihtenshtejn, Princi Hans-Adam merr çdo vit nga shteti 200 mijë euro. Megjithatë ai drejton një fond dhe një bankë private, LGT Group, që i sollën 288 milionë euro fitim vetëm vitin e kaluar.
Kjo pasuri e tejkalon shumë atë të familjes mbretërore të Monakos, që ka një portofol të madh investimesh, por që nuk sjell shumë fitime: Rezultatet neto për këtë vit janë 79 milionë euro.
Në Suedi, mbretëresha Madeleine, fitoi të ardhura nga investimet e saj 230 mijë euro vitin e kaluar, të ngjashme me atë të motrës së saj Victoria, Princesha e Kurorës. Në këtë monarki, i vetmi që ka një pagë fikse (me kosto më të lartë argëtimi) është Mbreti dhe kjo kuotë llogaritet në gati një milion euro në vit.
Në Holandë, princeshës i takojnë 300 mijë euro në vit ose 25 mijë euro çdo muaj për shpenzime vetjake. Princesha Catharina-Amalia e Hollandës e refuzoi këtë pagë.
Në Belgjikë Princesha trashëgimtare e Kurorës, ndoqi të njëjtën rrugë si ajo holandeze, ndërsa po pret të marrë drejtimin e Mbretërisë.
/a.r