Një 19-vjeçar i ka bërë shantazh për katër muaj me radhë një të miture 14-vjeçare, për ta detyruar të bënte seks me të, shkruan Panorama. Djali e ka kërcënuar se do t’u tregonte të gjithëve, përfshirë edhe familjes së saj, se ajo nuk ishte e virgjër. E mitura i është nënshtruar nën presion, por ka thënë se edhe marrëdhënia e tyre e parë ka qenë kundër dëshrës së saj.
Historia është zbuluar kur nëna e vajzës, banuese në Tiranë, ka ardhur në shtëpi dhe ka gjetur djalin të fshehur në dollap.
E gjithë historia i ka kushtuar dënimin me dhjetë vjet burg 19-vjeçarit Erald X., i gjetur fajtor për “marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.
Sipas vendimit të gjykatës, mes të pandehurit dhe minorenes ka pasur komunikim dhe një afërsi të lehtë, vitin e kaluar. Duke shfrytëzuar një moment kur vajza ishte vetëm në shtëpi, i pandehuri ka trokitur në derën dhe është futur menjëherë pasi ajo e ka hapur. Pa pritur miratimin e 14-vjeçares, ai e ka marrë në dhomën e gjumit dhe me gjithë kundërshtimin e saj për të ndaluar ka kryer marrëdhënie seksuale. Në vijim, sipas Gjykatës, ai e ka kërcënuar duke i thënë se nëse ajo do t’i tregonte njeriu për çfarë kishte ndodhur, ai do t’u tregonte prindërve dhe shokëve të saj se ajo nuk ishte më e virgjër.
Përmes këtij presioni, ai ka kryer edhe disa herë të tjera marrëdhënie seksuale me minorenen.
Pasi prindërit e të miturës kanë zbuluar historinë i kanë kërkuar familjes së 19-vjeçarit që të mos i afrohej më vajzës së tyre. Por, kur i pandehuri ka vijuar t’i shkonte të miturës te shkolla dhe t’i përsëriste kërcënimin, atëherë e mitura e shoqëruar nga e ëma e saj kanë kallëzuar atë në polici.
Panorama