Ish-kandidatja për postin e kreut të Partisë Demokratike, Edith Harxhi ka komentuar raportin përfundimtar të OSBE-së për zgjedhjet e 25-prillit dhe dorëheqjen e 14 anëtarëve të PD-së në Korçë me në krye Sekretarin e Degës Devi Osmani dhe ish-Kryetarin e PD-së, Andrea Mano.
Në një status në Facebook, Harxhi shkruan se në raportin e OSBE-së thuhet se zgjedhjet kanë përfunduar dhe në shtator Edi Rama dhe qeveria e tij do të qeverisin përsëri keq e më keq vendin, ndërsa Opozita do të paguajë çmimin e daljes nga parlamenti dhe mosfutjes në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
Harxhi shton se dorëheqja e 14 anëtarëve të PD-së në Korçë është sinjali i fundit i alarmit për situatën në të cilën ndodhet sot PD-ja. Sipas saj, pakënaqësia dhe dorëheqja masive e disa prej anëtarëve të kryesisë së degës Korçë, disa prej të cilëve qëndrestarë që prej vitit 1991, tregon edhe një herë se PD-ja është kapur në çdo segment të saj dhe se anëtarët e saj nuk munden më të bëhen pjesë e lojrave të kryetarit në detyrë Basha.
Reagimi i plotë:
Raporti përfundimtari OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri ishte një përsëritje e Raportit paraprak. Pra, zgjedhjet kanë përfunduar dhe në shtator Edi Rama dhe qeveria e tij do të qeverisin përsëri keq e më keq vendin. Ndërsa opozita do të vazhdojë të paguajë haraçin e daljes nga parlamenti dhe mosfutjes në zgjedhjet vendore të vitit 2019, duke fajësuar përsëri shumicën dhe jo veten për mosmbajtjen e premtimeve për një aksion të fortë opozitar dhe për dhënien e garancive për mbrojtjen e votës që qytetarëve shqiptarë. Raporti flet qartë mbi përdorimin e burimeve të administratës qëndrore dhe vendore nga ana e shumicës. Por Kryetari në detyrë nuk merr përgjegjësinë e vendimeve për largimin nga parlamenti dhe për dorëzimin e të gjitha pushteteve Edi Ramës. Po si mund të kërkohen zgjedhje të rregullta, të lira dhe të barabarta në vend, kur këto nuk garantohen në zgjedhjet e brendëshme për Kryetar në Partinë anti-komuniste, partinë kryesore të opozitës? Partia Demokratike nuk është më demokratike dhe e lirë, dhe kryetari në detyrë, i dalë me votat e vetëm 30% të anëtarësisë, pasi përjashtoi rreth 30 mijë demokratë nga e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur nuk mban përgjegjegjësi për shtëpinë e tij. Ajo çfarë është më shqetësuese sot është pozicioni ku ka rënë Partia Demokratike. Ajo vazhdon dhe tkurret përditë në një moment kaq kritik për vendin. Kryetari në detyrë, në konferencën e tij për shtyp anashkalon faktin që PD-ja po zien dhe po largohen demokratët e mbetur në detyrë dhe që kanë qenë në vijën e parë të sulmit në të gjitha protestat dhe aksionet opozitare, pavarësisht vaktësisë së tyre.
Dorëheqja e 14 anëtarëve të PD-së në Korçë me në krye Sekretarin e Degës Devi Osmani dhe ish Kryetarin e PD-së në Korçë Andrea Mano, janë sinjali i fundit i alarmit për situatën në të cilën ndodhet sot PD-ja. Pakënaqësia dhe dorëheqja masive e disa prej anëtarëve të kryesisë së degës Korçë, disa prej të cilëve qëndrestarë që prej vitit 1991, tregon edhe një herë se PD-ja është kapur në çdo segment të saj dhe se anëtarët e saj nuk munden më të bëhen pjesë e lojrave të kryetarit në detyrë Basha. Të atij kryetari, i cili vetëm një vit më parë u kish premtuar demokratëve të Korçës se do të kandidonte në listat e deputetëve të Korçës vetëm të zgjedhurit e tyre dhe jo ata të përcjellë me urdhër politik nga Tirana. Ndodhi e kundërta dhe nuk është çudi, sepse Kryetari në detyrë kudo premton, por ka problem me mbajtjen e premtimit. Ҫfarë aksioni opozitar do të bëjë ky kryetar në detyrë në shtator për mbrojtjen e votes, kur nuk do ketë më mbështetjen e demokratëve më të përkushtuar? Në Korçë PD-ja ka pasur në zgjedhjet e 25 prillit 3000 antarë aktivë. Ndërkohë në zgjedhjet për Kryetar Partie në 13 qershor, në listat e përgatitura nga Tirana ishin vetëm 2000 anëtarë, nga të cilët votuan vetëm 630 anëtarë. Pjesa tjetër nuk u la të votojë, sepse gjoja nuk kishin dokument identifikimi si anëtarë të PD-së. Rasti i degës së Korçës, një nga më të vjetrat dhe më të mëdhatë të Shqipërisë është flagrant, por jo i vetëm. Përgëzoj demokratët e Korçës për vendimin e tyre të përgjegjshëm. Ka qenë dhe mbetet bindja ime dhe e kam shprehur publikisht se ndryshimi do të vijë nga Korça. Situata paraqitet po aq dramatike me dorëheqje edhe në degë të tjera si Durrësi, Fieri, Shkodra, Saranda dhe të tjera. Tirana është rast i veçantë, sepse që prej vitit 2014 kryetari në detyrë Basha e ka shuar degën më të madhe të gjithë Shqipërisë, Tiranën. Tirana nuk ka degë të veçantë, dhe afërsisht 900 mijë banorë dhe afërsisht 200 mijë demokratë i komandon “lideri suprem” i opozitës nga selia qëndrore e kapur prej tij.
Kjo është situata aktuale në vend! Në Shqipëri, ku korrupsioni është një me shtetin dhe kur opozita është bërë një me shumicën qeverisëse, shqiptarët janë në rrugë të madhe. Opozita është shterur dhe bjerrur dhe është reduktuar vetëm në disa numra në parlamentin e ardhshëm. Prandaj vendi ka nevojë urgjente për një opozitë të fortë, për një PD të madhe dhe të bashkuar, për një forcë opozitare që thërret një aksion politik disa dimensional. Duke filluar nga fitimi i besimit të popullit opozitar, që përbën shumicën sot për karshi një qeverie të korruptuar dhe një opozite të kapur. Ngritja e vetëdijes dhe besimit të popullit opozitar është parësore në këtë rast. Nuk është e thënë të jesh në forume të Partisë për të bërë opozitën. Ajo do të ringrihet e fuqishme dhe tejet e vendosur dhe e përkushtuar jashtë kulisave të tenderave abuzivë të qeverisë dhe opozitës të kapur nga kryetari në detyrë. Pa ringritjen e opozitës nuk do të ketë çlirim nga e keqja aktuale!
OSBE-ODIHR publikoi ditën e djeshme raportin përfundimtar për zgjedhjet, ku nënvizoi të gjitha faktet për ecurinë dhe mbarëvajtjen 25 prillit. Me kritika, raportime dhe rekomandime, OSBE theksoi se zgjedhjet parlamentare ishin përgjithësisht të organizuara mirë nga Administrata Zgjedhore, por qytetarët u vunë nën preson për të votuar për partinë në pushtet. Në raport theksohej se Partia Socialiste keqpërdori fondet publike, shpërndau paratë e rindërtimit pas tërmetit tragjik dhe rriti punësimet në administratë për të përfituar vota.