Katër oficerë të policisë dëshmuan para një komisioni hetimor të Kongresit me lot, duke ofruar detaje të martën mbi sulmin e një turme të zemëruar të mbështetësve të Presidentit të atëhershëm Donald Trump në Kapitol më 6 janar, në një përpjekje të pasuksesshme për të bllokuar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
Dy policë të Kapitolit dhe dy policë të qytetit të Uashingtonit thanë se kishin frikë për jetën e tyre ndërsa rreth 800 protestues sulmuan forcat e zbatimit të ligjit, i tallën ata me epitete racore dhe politike, u përleshën me policinë, i spërkatën ata me substanca kimike dhe u morën mburojat dhe pajisje të tjera.
Ata dëshmuan në ditën e parë të seancave dëgjimore publike mbi dhunën vdekjeprurëse që ndodhi më shumë se gjashtë muaj më parë, sulmi më i rëndë në më shumë se dy shekuj mbi Kapitolin amerikan, që shihet si një simbol i demokracisë amerikane. Shtatë anëtarë demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe dy ligjvënës republikanë të një komisioni të posaçëm hetimor dëgjuan dëshmitë.
Gjatë seancës që zgjati tre orë e gjysmë, oficeri i Policisë së Kapitolit, Aquilino Gonell tha se “Kryengritësit më quajtën “tradhtar”, “turp (i vendit)” dhe bërtitën që unë (një veteran i ushtrisë dhe oficer policie) duhet të “ekzekutohesha”. ”
“Ajo që ne përjetuam atë ditë ishte si diçka nga një fushëbetejë mesjetare”, tha Gonell. “Ne luftuam me duar për çdo centimetër për të parandaluar pushtimin e Kapitolit nga një turmë e dhunshme që synonte të prishte procesin tonë demokratik.” Gonell tha në një moment se ai u shtyp nga vala e protestuesve.
Mendova se do të vdisja”, tha ai.
Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Michael Fanone tha para ligjvënësve se “Më kapën dhe më rrahën ndërsa më quanin tradhtar të vendit tim. Isha në rrezik të vjedhjes së armës dhe vrasjes më armën time”.
“Më goditën shumë herë me një armë elektrike. Jam i sigurt që po bërtisja, por nuk mendoj se mund të dëgjohej zëri im”, shtoi ai.
Në muajt pas kaosit në Kapitol, shumë republikanë, në përpjekje për të shfajësuar thirrjen e Presidentit Trump drejtuar mbështetësve të tij për të “luftuar fortë” për të përmbysur humbjen ndaj zotit Biden, kanë minimizuar dhunën në Kapitol. Një ligjvënës tha se 800 personat që hynë në Kapitol ishin si turistë, ndërsa disa republikanë votuan kundër nderimit të policëve që mbrojtën Kapitolin.
Udhëheqësit republikanë kanë pohuar se trazirat po hetohen në mënyrë adekuate nga agjencitë e zbatimit të ligjit dhe komisionet e tjera të kongresit, duke argumentuar se hetimi i fundit është thjesht një teatër politik dhe një përpjekje për të hedhur hije të keqe mbi partinë republikane në prag të zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit për Kongres.
Oficeri i policisë së qytetit të Uashingtonit, Daniel Hodges, i cili u përplas mes një dere dhe kornizës së saj nga protestuesit tha se një protestues i bërtiti tij duke thënë “Ju do të vdisni në gjunjë!”
Ai tha se policia nuk ishte në gjendje të përballonte valën e protestuesve. Ai tha se një protestues “vuri gishtin e tij të madh në syrin tim dhe u përpoq ta nxirrte jashtë”.
Polici afrikano-amerikan i Kapitolit, Harry Dunn, tha se protestuesit e sulmuan atë me sharje të rënda racore pas një shkëmbimi në të cilin ai e kishte pranuar se kishte votuar për zotin Biden.
“Unë jam ende duke vuajtur nga ajo që ndodhi atë ditë”, tha oficeri Dunn. Ai kërkoi një moment heshtje për të kujtuar kolegun e tij Brian Sicknick, i cili ndihmoi në mbrojtjen e Kapitolit më 6 janar, por vdiq nga një problem shëndetësor një ditë më vonë.
Një protestues u qëllua për vdekje nga një polic i Kapitolit gjatë përleshjeve, tre protestues vdiqën dhe dy oficerë të tjerë të policisë u vetëvranë në ditët në vijim. Më shumë se 500 protestues që morën pjesë në sulmin ndaj Kapitolit janë akuzuar për një mori veprash penale. Oficeri Dunn tha se kujtimet e 6 janarit “ende nuk kanë mbaruar për mua, fizikisht dhe emocionalisht”, dhe se ai është duke bërë një terapi psikologjike.
Por ai kishte një mendim të fundit për protestuesit: “Ju të gjithë u përpoqët ta shkatërroni demokracinë atë ditë dhe dështuat.”
Republikanët e Senatit bllokuan krijimin e një komisioni të pavarur dypartiak për hetimin e ngjarjeve të 6 janarit. Në vend të tij demokratët, me mbështetjen e dy republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve krijuan komisionin që tani po heton sulmin ndaj Kapitolit./VOA
g.kosovari