Nga Adriatik Doçi
Gjykata Speciale e Shkallës së Parë vendosi sot rrezimin e kerkeses së SPAK për hapjen dosjes së Gërdecit, duke penguar kësisoj edhe një herë përpjekjet për ndëshkimin e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, në rolin e njeriut që bëri letrat e aferës korruptive me pasoja vdekjeprurëse, për interes dhe nën kërkesat e Shkëlzen Berishës dhe babait të tij, Sali Berisha, në atë kohë kryeministër dhe shef i Mediut. Vendimi i sotëm i gjyqtarit Erjon Çela është episodi i radhës i sagës 13 vjeçare të mosndëshkimit të grupit përgjegjës, për një nga tragjeditë më të mëdha që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në Shqipëri, me bilanc 27 viktima, mbi 200 të plagosur dhe rreth 300 shtëpi e biznese të rrafshuara. Vendimi i Erjon Çelës, i cili ka prodhuar një zhgënjim therës në opinionin publik, në fakt është produkt dhe rrjedhojë i disa vendimeve të mëparshme të drejtësisë shqiptare, gjatë 13 viteve të fundit, pa dyshim nën ndikimin e Sali Berishës, i akuzuar edhe si ‘koka’ e Gërdecit.
Berisha dhe Shkëlzeni shmangen nga hetimi
Pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të armëve mesditën e 15 marsit 2008, prokuroria regjistroi procedimin penal nr. 3. Hetimet shkuan deri tek Fatmir Mediu, në cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes. Në hetimet disamujore u anashkaluan Sali dhe Shkëlzen Berisha. Tabulatet telefonike, një sërë dëshmish, shkresash, presionesh, vendimesh, denoncimesh, dokumente takimesh etj., implikonin Shkëlzen Berishën në rolin e sekserit për ngritjen e biznesit të vdekjes, ndërsa Sali Berishën si urdhërues i realizimit të aferës, për të interesa familjare, në cilësinë e kryeministrit. Shmangia e hetimeve nga Berisha dhe Shkëlzeni shënon edhe aktin e parë themelor të sagës së padrejtësisë për Gërdecin.
27 viktima, Mediu akuzohet vetëm për shpërdorim detyre
Në mars të vitit 2009, pra një vit pas tragjedisë, Prokuroria e Përgjithshme dërgon dosjen e Gërdecit për gjykim në Gjykatën e Lartë, për shkak se njëri nga të pandehurit, Fatmir Mediu, ishte subjekt gjykimi fillestar i Gjykatës së Lartë, në cilësinë e ish ministrit. Prokuroria përfaqësohej nga grupi i prokurorëve: Sokol Stojani, Arqilea Koça, Kujtim Luli, Alfred Progonati dhe Arben Dollapaj. Fatmir Mediu u akuzua nga prokuroria vetëm për shpërdorim detyre të dyfishtë, parashikuar në Kodin Penal dhe Kodin Penal Ushtarak. Edhe pse veprimet dhe mosveprimet e Mediu, sipas prokurorisë, kishin sjellë për pasojë 27 viktima, mes të cilëve edhe gra dhe fëmijë, përfshirë edhe baxhakun e Sali Berishës, prokuroria ngriti ndaj Mediut vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ky ishte edhe akti i dytë i sagës së padrejtësisë për Gërdecin.
3 gjyqtarë shpëtojnë Fatmir Mediun
Në 22 maj 2009, Gjykata e Lartë vendos fillimisht të ndajë dosjen. Gjykimin për 31 të pandehur e kalon për kompetencë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa vendos vijimin e gjykimit për Fatmir Mediun. Në 14 shtator 2009, anëtarët e Gjykatës së Lartë Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea vendosën të mbyllnin dosjen e Fatmir Mediut, me arsyetimin se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet në zgjedhjet e 28 qershorit 2019 dhe për rrjedhojë ishte riveshur me imunitet ndaj veprimit të drejtësisë. Vetëm 5 ditë para vendimit, avokatët e Mediut, Ardian Visha dhe Petrit Serjani, kishin paraqitur një memo në gjykatë, ku thekson se Mediu ishte zgjedhur deputet dhe se kjo rrethanë e re nuk lejonte gjykimin e tij.
Kuvendi ia kishte hequr një herë imunitetin Mediut në 16 qershor 2008, por sipas avokatëve dhe shumicës së trupit gjykues, Mediu e kishte rifituar sërish imunitetin. Ndër të tjera, treshja gjykuese ka arsyetuar se “..Do të ishte antikushtetues vazhdimi i procedimit penal ndaj të pandehurit Fatmir Mediu me pretendimin se autorizimi i datës 16.06.2008 vlen edhe mbas datës 01.08.2009, pasi me këtë arsyetim do të pranonim faktin se mandatin e deputetit ky i pandehur e ka fituar pa imunitet parlamentar. Natyrisht, ky mandat nuk mund të ishte i pjesshëm, sepse imuniteti i deputetit të sapo zgjedhur është element përbërës i statusit të tij dhe mund të hiqet vetëm në seancë plenare te Kuvendit dhe me një procedurë të caktuar posaçërisht në rregulloren e Kuvendit. Përforcimi kushtetues i mandatit të deputetit me një imunitet kundër ndjekjes penale është një akt sovran, të cilin zgjedhësit e kanë parasysh kur votojnë një kandidat për deputet”.
Gjykata e Lartë ka qenë nën ndikimin e Sali Berishës. Fakti që të tre këta gjyqtarë janë promovuar nga Partia Demokratike dhe sot asnjëri prej tyre sot nuk është në drejtësi, shpjegon edhe arsyetimin e tyre të çuditshëm për të shpëtuar Fatmir Mediun nga veprimi i drejtësisë. Besnik Imeraj dhe Ardian Nuni dhanë dorëheqjen, ndërsa Majlinda Andrea u dënua për korrupsion. Shpëtimi i Mediu ishte jetike për Berishën, pasi në të kundërtën, Mediu mund të kthehej në i penduar dhe të merrte me vete edhe Berishën. E njëjta gjë ndodhi edhe me Lulzim Bashën dhe Ilir Metën, të cilët u shpëtuan nga ndëshkimi nga i njëjti grup gjyqtarësh të emëruar nga Berisha në Gjykatën e Lartë.
Qirjako dhe Sinoimeri kundër
Dy anëtare të trupit gjykuese, Evelina Qirjako dhe Evjeni Sinoimeri janë pozicionuar kundra pushimi të çështjes së Fatmir Mediut për Gërdecin. Sipas dy anëtarëve, Kuvendi ia kishte hequr një herë imunitetin Mediut dhe se ky vendim ishte i vlefshëm, pavarësisht se Mediu ishte zgjedhur sërish deputet. Dy anëtaret arsyetonin se “Fakti që i pandehuri Fatmir Mediu u rizgjodh si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet se ka shërbyer për të krijuar një gjendje të re juridiko kushtetuese për sa i përket imunitetit parlamentar në përgjithësi dhe kuptimit e qëllimit të autorizimit për procedim në veçanti…Sipas mendimit të pakicës, vijimësia e efekteve kushtetuese dhe juridiko-penale të autorizimit të dhënë një herë nga Kuvendi është rrjedhojë e vijimësisë së veprimtarisë së këtij organi kushtetues pavarësisht ndarjes në legjislatura dhe ndryshimeve që ndodhin në përbërjen nominale të tij, për shkak të zgjedhjeve të reja. Jemi në kushtet e gjykimit të së njëjtës çështje, për të cilën është marrë njëherë autorizimi nga organi procedues”.
Prokuroria nuk kërkoi më heqjen e imunitetit për Mediun
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, edhe pse me arsyetim të diskutueshëm, Prokuroria e Përgjithshme nuk i kërkoi më Kuvendit të Shqipërisë t’i hiqte sërish imunitetin Fatmir Mediut, për të vijuar gjykimin e tij. Edhe pse dukej absurde që Kuvendi t’i hiqte dy herë imunitetin Mediut për të njëjtin procedim penal, Gjykata e Lartë e theksonte qartë në vendim që prokuroria duhej të kërkonte edhe një herë heqjen e imunitetit. Prokuroria në atë kohë drejtohej nga Ina Rama, sot anëtare e Kolegjit të Apelimit.
Hiqet imuniteti me ligj, Adriatik Llalla mbron Mediun
Në vitin 2012, Parlamenti ndryshoi Kushtetutën duke i hequr deputetit imunitetin nga ndjekja penale apo nga gjykimi i tij. Edhe pse tashmë Fatmir Mediu ishte pa imunitet, sërish Prokuroria e Përgjithshme nuk ndërmori asnjë hap për vijimin e procedimit të tij për dosjen e Gërdecit. Imuniteti i deputetit u hoq në 18 shtator 2012. Tashmë Prokurorinë e Përgjithshme e drejtonte Adriatik Llalla, i zgjedhur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, në koordinim me Bujar Nishanin si president. Gjatë 5 viteve në krye të prokurorisë, Llalla nuk kërkoi procedimin e Mediut, i cili ishte pa imunitet.
SPKA kërkon hapjen e dosjes, por është vonë
Në dhjetor të vitit 2017, kryeprokurorja e përkohshme u zgjodh Arta Marku. As Arta Marku nuk ndërmori asnjë veprim për të proceduar penalisht për dosjen e Gërdecit Fatmir Mediun, i cili i kishte shpëtuar gjykimit me procedurë. Në dhjetor të vitit 2019, kryeprokuror i zgjodh Olsian Çela, por tashmë Fatmir Mediu ishte subjekt i SPAK, i cili sapo ishte konstituuar me 8 prokurorët e parë. Atë që nuk e bëri Ina Rama, Adriatik Llalla dhe në fund Arta Marku, vendosi ta bënte SPAK, por tashmë ishte shumë vonë, të pakën për akuzën e shpërdorimit të detyrës, akuzë e cila ishte parashkruar për shkak se kishin kaluar mbi 10 vite nga koha e kryerjes së veprës penale të pretenduar./Shqiptarja.com