Ditën e sotme, më 27 korrik, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të shqyrtoje kërkesën e SPAK për të rifilluar, ose jo, ndjekjen penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, për rolin e tij në ngjarjen e Gërdecit.
Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008-ës, i janë drejtuar me një letër zyrtarisht Gjykatës së Posaçme, ku i kërkojnë pranimin e kërkesës së SPAK për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Gjykimi ditën e sotme do të behet nga gjyqtari Erion Çela pa praninë e palëve.
Në letrën drejtuar GJKKO, familja Durdaj shprehet se dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit.
Ata i ‘rikujtojnë’ Gjykatës së Posaçme se një shtet i së drejtës është ai që nuk pengon gjykimin e çdo zyrtari dhe se ky është funksioni pse u bë edhe Reforma në Drejtësi.
Disa nga pikat në letrën e familjes Durdaj, drejtuar GJKKO:
ndjekja penale është një detyrim i shtetit shqiptar që buron nga konventat ndërkombëtare që kërkojnë hetimin dhe gjykimin e plotë për çdo humbje jete
– dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe duke i hapur rrugë gjykimit do të mundësohet një vlerësim i drejtë i të gjithë fakteve penale
– gjykata të zbatojë drejtpërdrejt nenin 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe të mos humbasë në teknikalitete, në dëm të thelbit të detyrës së prokurorisë dhe gjykatave të një shtet të së drejtës. Gjykata e Strasburgut ka kërkuar shpesh here nga shtetet që të bazojnë vendimet direkt ne Konvente.
– nëse gjykata ka dyshime se ndonjë dispozitë e ligjeve shqiptare bëhet pengesë për këtë gjykim, të ushtrojë të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për t’i hequr pengesat antikushtetuese.
Në fund të fundit, një shtet i së drejtës është ai që nuk pengon gjykimin e çdo zyrtari, dhe ky është funksioni kryesor pse u bë reforma në drejtësi./ shqiptarja.com
g.kosovari