Rritja e cilësisë së furnizimit me uji të pijshëm si dhe ulja e konsumit të energjisë elektrike me 50% do të jenë në fokus të projektit për efiçencën e energjisë në 9 ujësjellës në Tepelenë e Memaliaj.
Për funksionimin e ujësjellësve, do të përdoren impiantet fotovoltaike. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se nëpërmjet këtij projekti do të rritet edhe performanca e ujësjellësve.
“Kemi implementuar tre elementë të efiçencës së energjisë. Së pari, furnizimin me energji nëpërmjet elementëve fotovoltaik. E dyta, duke ndryshuar të gjithë sistemin e pompave dhe duke vendosur pompa brenda kritereve të Bashkimit Euiropian. Së treti, instalimi i programit SCADA rrit edhe efektshmërinë e funksionimit të këtyre pompave dhe të vetë ujësjellësit”, sqaroi drejtori Deda.
Ministrja Balluku theksoi se këto projekte, me impakt pozitiv jo vetëm për qytetarët, por edhe në performancën e ndërmarrjeve të ujësjellësit do të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit.
“Për ne është shumë i rëndësishëm integrimi i këtyre projekteve, siç është rasti i ujësjellësit dhe i eficiencës së energjisë, pra i Agjencisë dhe i AKUM-it. Sigurisht është në të mirë dhe në dobi të qytetarëve para së gjithash. Të gjitha proceset ku përmirësohen, qofshin këto nga ana teknologjike, siç është rasti i pompave, qofshin këto nga ana e kostove operative, siç është rasti i paneleve diellorë, përfituesi i parë është padyshim qytetari. Qytetari është ai i cili merr shërbim më të mirë, më shumë ujë në rubinet, më cilësor dhe padyshim pastaj fillojnë një sërë përfitimesh, që ka bashkia dhe Agjencia”, nënvizoi Balluku.
Ministrja theksoi se gjatë mandatit të tretë qeverisës janë planifikuar një sërë projektesh të rëndësishme në sektorin energjetik, të cilat synojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend eksportues të energjisë elektrike.
“Mandati i tretë do të jetë një mandat i rëndësishëm për fushën energjetike, pasi projekte të mëdha janë përgatitur dhe do të implementohen, siç është ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës apo rivitalizimi i TEC-it të Vlorës, kthimi i tij në funksion me gaz të lëngshëm, duke bashkëpunuar me kompani të mëdha amerikane, por nga ana tjetër ajo që gjithmonë themi është se rritja e konsumit duhet shoqëruar edhe me efiçiencën e energjisë elektrike. Duke nisur që nga banesat. Rritja e prodhimit vendas është shumë e rëndësishme, po aq e rëndësishme është dhe ulja e konsumit energjetik, duke vënë në zbatim të gjitha projektet e efiçiencës energjetike”, u shpreh Balluku./m.j