Racizmi është një teme mjaft delikate në SHBA, ashtu si në shumë vende të botës, por jo një cështje e pamundur për tu diskutuar nga një njeri me ngjyrë, e për më tepër President i Shteteve të Bashkuara. Barack Obama, në një intervistë të dhënë për Radion publike kombëtare ka prekur pikërisht këtë temë, duke ju referuar akuzave të shumta që kandidati republikan për Presidencën, Donald Trump, ka bërë ndaj tij. Sipas Obamës, arsyeja është pikërisht fakti se ai është me ngjyrë.
“Zoti Trump ka kapitalizuar frikën e klasës punëtorë, por edhe dyshimet e përhapura në disa pjesë të elektoratit republikan, që lindin nga fakti se unë jam presidenti i parë me ngjyrë”, ka deklaruar Obama.
Në prill të vitit 2011, Trump kreu një fushatë personale kundër Obamës, duke insistuar se ai nuk kishte lindur në Shtetet e Bashkuara dhe për rrjedhojë duhet të linte Shtëpinë e Bardhë.
Duke folur për stacionin radiofonik, Obama nuk i ka përmendur akuzat, por referimi ndaj këtyre deklaratave, që në atë kohë qarkulluan në mbarë median botërore, ka qenë i qartë.
“Në Partinë Republikane ekzistojnë forca sipas të cilave unë, në njëfarë mënyre, jam ndryshe. Jam një mysliman, një person jo besnik ndaj vendit, e të tjera. Të gjitha këto, gjëra që për fatin e tyre të keq janë larg realitetit, por që mbështeten dhe përdoren nga disa përfaqësues të zgjedhur nga Partia Republikane. Në njëfarë mënyre, unë përfaqësoj atë ndryshim që i tremb ata”, ka thënë Obama.
Më tej, Obama ka pohuar se frika dhe shqetësimet e përhapura sidomos me punëtorëve të industrisë së rëndë janë të lidhura me ndryshimet e strukturës së ekonomisë amerikane.
Për rrjedhojë, sipas tij, Trump edhe në këtë rast po spekulon mbi probleme që nuk mund t’i zgjidhë. Tani le të presim reagimin e miliarderit njujorkez.