Motra e Jani Kollçakut, i njohur si Landi i Mirasit, vrarë disa ditë më parë me një plumb në kokë, i ka bërë thirrje shtetit të gjejë autorin, ndryshë do të ketë vetëgjyqësi. Në një intervistë me Gazetën Shqiptare, Zhaneta Hoxha thotë se “vëllai im nuk ishte njeri pa njeri”.
“Nëse nuk e gjen policia kush e vrau, do ta gjejmë ne. Unë do ta gjej dhe do ta vras, siç vrau vëllanë tim me plumb pas koke. Betohesha për kokën e Landit, tani betohem për shpirtin e tij”, thotë Hoxha, e cila jeton prej njëzet vitesh në Greqi.
Edhe pse jo në kontakte të përditshme me vëllain, për shkak të jetesës larg tij, Hoxha thotë se ai nuk merrej me trafik droge, por e ka bërë vetëm kur ka qenë në moshë të vogël.
“Më mirë të të dalë syri se sa nami! E di që është përfolur edhe si trafikant droge, por kjo është e tepërt. Landi gaboi në moshë të vogël dhe e vuajti dënimin e tij, por kjo nuk e bën atë kriminel. Nuk kishte vrarë askënd dhe as nuk i kishte bërë keq askujt. Të gjithë në fshat i ndihmonte, ishte i sjellshëm me këdo”, thotë motra, ndërkohë që edhe hedh poshtë lajmet se i ndjeri jetonte në një vilë luksoze: “Ai jetonte në një shtëpi njëkatëshe, të cilën ende nuk e kishim përfunduar së ndërtuari, pasi lekët në kurbet nuk fitohen lehtë”.