Janë lënë në burg katër të arrestuarit gjatë operacionit “Phishing” për mashtrim kompjuterik me një dëm prej 4 milionë eurosh. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke i lënë në “arrest me burg” dy shtetasit e huaj dhe dy shqiptarët: Donald Anu, 34 vjeç, shtetas i Kamerunit, alias Ugochukëu Emmanuel Emereibenu 39 vjeç, shtetas i Nigerisë; Marie Goufan, 31 vjeçe, shtetase Kamerune, banuese në Tiranë; Fatbardh Danja, 40 vjeç, banues në Tiranë; Xhentil Kupe, 54 vjeç, banues në Tiranë.
Teksa gruaja e arrestuar Marie Estelle Goufan Atiock ka shpërthyer në lot dhe ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë e jashtëligjshme. Ajo ka thënë se ka shkuar vetëm njëherë në bankë me Xhentil Kupen, edhe ky i akuzuar për të dëgjuar bisedën dhe për t’ia treguar më pas kamerunasit Donald Anu, i cili ishte regjistruar si një shtetas nigerian, me të cilin thotë se ka vetëm miqësi.
“Kam shkuar vetëm njëherë në bankë për të dëgjuar mbi bisedën e Xhentilit në bankë, me qëllim që t’ia transmetoja Donald Anus, pasi ai nuk di shqip.
Me Donaldin kam vetëm miqësi. S’kam pas asnjë informacion në lidhje me veprimtarinë e tyre”, ka thënë gruaja teksa ka shpërthyer në lot.
Nga ana tjetër Xhentil Kupe ka pranuar që ka hapur një llogari bankare, por që nuk ka pasur dijeni për aktivitetin ilegal.
Për të njëjtën akuzë janë shpallur në kërkim 8 shtetas të huaj të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.