Connie Parke e pa për herë të fundit familjen e saj më shumë se një dekadë më parë, por tanimë më ajo mund t’i shohë sërish nipërit teksa luajnë dhe më në fund e di si duket e bija e rritur.
Kur nisi të humbte shikimin dhe u verbua asaj iu tha se kishte shkëputje të retinës ose glaukoma. Por diagnoza ishte e gabuar. Në fakt ajo kishte katarakt, që mund të hiqej lehtësisht dhe t’i risillte shikimin. Pasi iu nënshtrua operacionit, 59-vjeçarja tanimë ka shikim të pastër në të dy sytë.
Në një rrëfim të përcjellë nga Metro, Connie nga Aurora, Colorado tha: “Njerëzit duhet të ribëjnë kontrolle, sepse unë isha e verbër për 15 vjet pa asnjë arsye. Operacione si ky që bëra unë, kryhen prej vitesh. Ditën që specialisti i retinës më tha se nuk kisha asnjë sëmundje në retinat e mia, unë dhe im shoq u mërzitëm pamasë. Isha e mërzitur me mjekët që nuk arritën të gjenin shkakun e vërtetë se përse humba shikimin, por ditën që arrita të shoh sërish, i gjithë ai inat u shua”.
Problemet me shikimin për Connie-n nisën në 2003. Ajo nisi të kishte probleme me dritat gjatë kohës që i jepte makinës dhe mjeku i tha se ishte për shkak të glaukomës. Tre javë më vonë shikimi i saj po ikte gjithnjë e më shumë.
Në atë pikë gruas iu tha se nuk mund ta operonin dhe se do të verbohej. Pas disa muajsh nuk mund të shihte fare. Vetëm në 2018-n pas një vizite tek okulisti zbuloi se diagnoza ishte e gabuar. Më 2 Nëntor ajo iu nënshtrua operacionit të parë në syrin e djathtë.
“Kur më hoqën fashën të nesërmen gjëja e parë që pashë ishte vetulla e infermieres… nisa të qaj”, rrëfeu Connie. Pak kohë më vonë iu nënshtrua operacionit të dytë dhe tanimë 59-vjeçarja ka shikim të plotë.
Rikthimi i shikimit për të do të thoshte që të mund të shihte për herë të parë sa ishte rritur mbesa e madhe dhe të shihte për herë të parë 8 nipërit e mbesat e tjera.