Nga Spartak Ngjela
Hetimi i korrupsionit të lartë po vijon.
Askush nga të korruptuarit e lartë, drejtorë, ministra e kryeministra nuk e di se çfarë do të ndodhë kur të plasë.
Këta ende nuk e besojnë se mund të ndodhë, ndërsa ndonjëri, me mendjelehtësinë e provincialit gënjeshtaro-katundar, mendon se ka forcë kërcënuese kundër hetimit.
Asgjë nuk bëjnë dot.
Çfarë do të bëjnë të korruptuarit kur të denoncohen publikisht bëmat e tyre vjedhëse (shpejt do t’i dëgjoni)?
Kjo do të mjaftojë, sepse shqiptarët do të prekin tragjedinë e tyre, e shkaktuar nga vjedhësit e pasurisë së tyre.
Keni për të dëgjuar episode vjedhjesh me karakter antinjerëzor, që hasen vetëm në shoqëritë krejt primitive.
Një shtet i varfër, i vjedhur nga rrjepacakë që erdhën në pushtet si shpëtimtarë: kjo është historia e shqiptarëve në këta 30 vjetët e fundit.
Dhe të gjithë do të pyesin: po, çfarë u kishëm bëra që, me vjedhjen e tyre gjigande, na dëbuan nga Shqipëria?
Çfarë u kishim bërë që na vodhën mundin dhe na grabitën atdheun e na lanë pa atdhe?
Kur të dëgjohen bëmat korrupsionit të lartë shtetëror, sigurisht që do të ketë revoltë të madhe hakmarrëse në Shqipëri, dhe shteti mund të vendoset në një gjëndje shumë të vështirë për t’i mbrojtur, drejt gjyqit.
Një çifti i ikën fëmijët për punë në Perëndim; dhe kanë dhjetë vite që nuk i kanë parë (por këta janë me mijëra); janë ndarë familjet, se nuk kishin me çfarë të jetonin në Shqipëri (edhe këto janë mijëra); kanë ikur familje të tëra që nuk jetonin dot familjarisht në Shqipëri (edhe këto, mijëra janë, që humbën traditën e ngrohtësisë familiare në atdhe).
Të gjithë ata njerëz me moral të lartë, që kanë mbajtur familjet këtu me dollarë për të jetuar, duke punuar vetë dy punë në Perëndim, dhe të gjithë ata që do të kuptojnë të vërtetën e varfërisë së tyre ekstreme në Shqipëri, që ka ardhur nga grabitja që iu ka bërë një lukuni e madhe grabitësish të korruptuar: nënpunës, drejtorë, ministra e kryeministra vjedhës të shqiptarëve – do të krijojnë normalisht urrejtjen e tyre hakmarrëse kundër keqbërësve.
Keni për ta parë.
Dhe, e gjithë kjo tablo, do ta bëjë dënimin dhe shtetëzimin e pasurisë së tyre të vjedhur, një gjë shumë të lehtë, se faktet dhe provat e grabitjes, janë shtypja psikologjike e vjedhësve të kapur në vjedhje.
Dhe këto janë, miliarda e miliarda Euro e Dollarë; janë pallate e vila luksi; janë makina e jahte luksozë; janë mijëra hektarë e mijëra apartamente.
Keni për t’i parë.
Dhe, sigurisht që dë të dëgjoni edhe historitë me makabritet të tyre, duke parë përrreth varfërinë e shqiptarëve…