Në dy ditët e fundit, Policia Rrugore ka arrestuar 18 drejtues automjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, ndërsa 8 u kapën pa leje drejtimi.
Po ashtu, janë pezulluar 64 leje drejtimi, nga të cilat 48 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara dhe 16 nën efektin e alkoolit.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të qytetarëve, janë ndëshkuar me gjobë 2908 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor që përbëjnë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
“Përgjatë kontrolleve parandaluese të alternuara, me qëllim konstatimin dhe verifikimin e shkeljeve që janë burim për aksidentet rrugore, efektivët e Policisë Rrugore të Tiranës kanë goditur një tjetër rast të mitëdhënies, në rrugën “Dritan Hoxha”, ku drejtuesi i një motomjeti, shtetasi M. S., për të shmangur masën administrative pasi kishte kaluar me semafor të kuq, iu ka ofruar punonjësve të Policisë, 2500 lekë të rinj. Në Bypass-in e Fierit, në aksin Fier-Vlorë, janë konstatuar me radar, nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier, dy automjete, një “Land Rover” që drejtohej nga shtetasi B. S., nga Tirana, i cili qarkullonte me shpejtësi 194/km/h dhe një “Benz” që drejtohej nga një shtetas kosovar M. I., me banim në Zvicër, i cili qarkullonte me shpejtësi 191 km/h. Të dy drejtuesit e mjeteve nuk i kanë ndaluar patrullës së Policisë Rrugore me radar, por janë kapur nga shërbimet e Policisë Vlorë dhe janë ndëshkuar me masë administrative me nga 48.000 lekë të rinj secili.”
/a.r