Botuesi i gazetës “Koha Jonë” Nikoll Lesi, i cili dikur mbështeste opozitën dhe presidentin Ilir Meta, së fundi duket se ka filluar te balancojë qëndrimet, duke i bërë vlerësime dhe kryeministrit Edi Rama.
Së fundi në një video-editorial të publikuar në gazetën e tij, Nikoll Lesi i është rikthyer çështjes së djegies së mandative nga opozita në vitin 2019, të cilën e cilëson si “çmenduri”.
“Opozita ishte çmendur në llogaritë e saj, kur mendoi se me djegien e mandateve Edi Rama do të rrëzohej dhe se nuk do ta lejonin ndërkombëtarët. Por ndërkombëtarët donin stabiltetet në Tiranë, dhe jo sherre”, -thuhet në editorialin e gazetës së Nikoll Lesit.
Më tej vlerëson kryeministrin Edi Rama, teksa thotë se “Ky mandat ishte një mandate lufte për qeverinë e Edi Ramës. Në fillim tërmeti dhe më pas pandemia. Opozita fërkonte duart, duke menduar se Rama do binte. Por jo. Edi Rama bëri të pamundurën dhe ia doli të dilte në majë të punëve.”
Gjithashtu gazeta e Nikoll Lesit e vlereson Edi Ramën për faktin se solli vaksinat në Shqipëri, dhe ndihmoi në mbrojtjen e shqiptarëve nga virusi.
“Edi Rama ia doli në luftën kundër covid-19. Mori vaksina shkoi edhe deri në fund të botës, i hipi dhe vetë avionit e shkoi të merrte vaksina”-thuhet ndër të tjera në editorial.
Por, gjithashtu nuk është lënë mënjeanë as mandati i tretë i Ramës, ndërsa parashikohet që edhe pse do ketë sherre pas shtatorit në Kuvend me opozitën, në editorialin e gazetës së Nikoll Lesit thuhet se “Kush e njeh Edi Ramën, e di që ai nuk tërhiqet kollaj”. /m.j