Numri dy i PS Taulant Balla, njëherësh deputet i Elbasanit, thotë në këtë qytet duhet të ndërtohet një bypass që t’i japë zgjidhje trafikut të mjeteve. Sipas Ballës, Elbasani është një pikë kyçe e qarkullimit të mjeteve, dhe si pjesë e Korridorit 8 ka trafik kombëtar dhe ndërkombëtar makinash.
“Ndërtimi brenda një kohe sa më të shkurtër i Bypass-i të Elbasanit është i domosdoshëm dhe nevojë imediate për lehtësimin e trafikut në qytetin e Elbasanit dhe për këdo që kalon në këtë pikë kyçe. Të mos harrojmë se sot unaza e Elbasanit deri në Kryqëzimin e Bradasheshit janë pjesë e Korridorit 8, me një trafik kombëtar dhe ndërkombëtar tejet të ngarkuar”, shkruan ai.
Më tej, ai tregon se Ministria e Infrastrukturës ka bërë planifikimet e nevojshme dhe ka kontaktuar kompaninë projektuese.
“Me përfundimin e Bypass-eve të Fierit dhe Vlorës, tashmë Qeveria duhet të fillojë procedurat për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit. Falë planifikimit në kohë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku është kontraktuar kompania projektuese e këtij aksi shumë të rëndësishëm që përfshin edhe zgjerimin e rrugës Elbasan-Qukës.”/m.j