Nga Arben Çokaj,
Frankfurt am Main, Gjermani
Gëzim Alpion, “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”
Bloomsbury: New Delhi, London, Oxford, New York, Sydney: 2020, 296 faqe
ISBN: HB: 978-93-89165-05-0 & 978-9389165-04-3; eBook: 978-93-89165-06-7
https://www.bloomsbury.com/uk/mother-teresa-9789389165067/
Monografia “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj” është studimi më i fundit i Gëzim Alpion për figurën dhe personalitetin e humanistes së madhe shqiptare.
Alpion është një ndër studiuesit dhe autorët më të shquar anglisht-shkrues të kohës sonë, që merret me sociologji dhe me historinë e zhvillimet shqiptare, dhe ndër autorët më të besueshëm të përshkrimit të historisë rreth Nënë Terezës, murgeshës së famshme, që u bë e njohur me kontributin e saj humanitar. Besueshmëria e Alpion vjen nga fakti se ai bazohet në burime të ndryshme, ku deduktimi i të dhënave që ai merr, bëhet nga një filtër sociologjik e historik, dhe jo fetar, duke e ngritur figurën e Nënë Terezës në një nivel diskutimi akademik. Ky ishte edhe misioni i tij edhe në këtë monografi.
Libri në fjalë është me vlerë të madhe, sidomos për shqiptarët, me një dendësi dhe koncentrim faktesh e historishë, që lidhen me Nënë Terezën e rreth saj, me shqiptarët dhe rrënjët kulturore të murgeshës, me kombin që e nxori atë si personalitet të veçantë në kulturën dhe ndërgjegjen shoqërore mbarë-botërore.
Alpion e ndan librin e tij në 3 pjesë, ku përfshihen 15 kapituj. Pjesa e parë merret me “Kush ishin shqiptarët e Nënë Terezës?”, me 6 kapituj. Pjesa e dytë, “Historia nga poshtë: Rrënjët shqiptare të Nënë Terezës dhe vitet në Shkup”, me 5 kapituj. Dhe pjesa e tretë, “Marrëdhëniet e Nënë Terezës me Selinë e Shenjtë dhe kombin shqiptar”, me 4 kapituj.
Në hyrjen e librit autori ndalet që në fillim te origjina e Nënë Terezës, të cilën ajo e pranoi botërisht në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për paqe në Oslo. Ajo tha: “Me gjak dhe me origjinë, unë jam shqiptare”. Alpion thekson: “Nënë Tereza është një hibrid i ‘heronjve’ shpirtërorë të identifikuar nga Thomas Carlyle (1841), ‘kapitenëve’ të përkushtuar të lavdëruar nga Samuel Smiles (1859) dhe të famshmit e kudo-ndodhur të epokës së medias, të qortuar nga Daniel J. Boorstin (1962). Kompleksiteti i figurës së saj përcakton natyrën multidisiplinare dhe ndërdisiplinore të këtij studimi.”
Më pas në hyrje, Alpion vë në dukje trashëgiminë etno-kulturore të Nënë Terezës dhe thekson: “Trauma, sfidat dhe arritjet e Nënë Terezës si person dhe misionare, dhe kompleksiteti i saj shpirtërore, duhen trajtuar në kontekstin e rrënjëve të saj. Kjo bazë është thelbësore për të kuptuar se si kjo ikonë moderne shpirtërore dhe humanitare arriti të mishërojë ADN-në ‘kulturore dhe shpirtërore’ të kombit të saj të lashtë” (f. 3). Alpion sqaron se “[n]ë këtë studim, unë e përdor konceptin e ‘ADN-së’ njëkohësisht në kuptim kulturor dhe shpirtëror, si dhe në një kontekst më specifik, krahasuar me mënyrën se si Gurnek Bains e përdor atë kur trajton ‘ADN-në kulturore’” (f. 210).
Ndërsa në Pjesën e Parë, autori ndalet në historinë hershme të shqiptarëve. Në kapitullin e parë, “Viktimizimi i shqiptarëve”, ndër të tjera autori ndalet në traktatin e Berlinit, si rezultat i të cilit shqiptarët u ndeshën me një kërcënim ekzistencial. Alpion thekson se fjalët e Otto von Bismark, se “Shqipëria është thjesht një shprehje gjeografike: nuk ka komb shqiptar”, mund të ishin bërë “epitafi i popullit shqiptar” (f. 10).
Alpion i referohet më pas edhe Aleksandër Lambert, i cili pretendon se ndryshimi i emrit të rajonit nga ‘Iliri’ në ‘Ballkan’, në fund të shekullit XIX-të dhe në fillim të shekullit XX-të, duhet parë në kontekstin e tendencës së fuqive të mëdha të kohës, për të injoruar shqiptarët dhe për të minuar historinë e tyre, veçanërisht pas vitit 1878 të Kongresit të Berlinit.
Roma dështoi ta latinizonte plotësisht popullin e Ilirisë, thekson Alpion. Serbët nuk mundën ta sllavizonin plotësisht Dardaninë në shekujt XIII-XV-të e as më pas në shekullin e XIX-XX-të. As otomanët nuk mundën ta otomanizonin Ilirinë, përgjatë 5 shekujve të pushtimit. Kështu Alpion vazhdon me ekspozimin e historisë së kombit të Nënë Terezës, që nga antikiteti ilir, e deri në epokën postmoderne.
Në kapitullin e parë, vëmendja është në historinë e trazuar të kombit shqiptar nga gjysma e dytë e shekullit XIX deri në fund të shekullit XX, kohë kur kanë jetuar edhe gjyshërit, prindërit, vëllai dhe motra e Nënë Terezës. Po këtu, katalogohen përpjekjet e Greqisë dhe Jugosllavisë për pastrimin etnik të territoreve të banuara nga shqiptarët, në periudhën e fundit të dhe pas shembjes së Perandorisë Osmane, si dhe shqyrtohet agjenda prapa pretendimit se gjoja shqiptarët kanë ardhur ‘vonë’ në Ballkan.
Kapitulli i dytë sfidon mitin e shqiptarëve si ‘dashamirësit’ e sundimit osman. Ai ekspozon disa nga marrëveshjet e hapura dhe të fshehta të Perandorisë Osmane dhe pasardhëses së saj, Turqisë, me Serbinë, Jugosllavinë dhe Greqinë, për të ndryshuar përbërjen demografike të territoreve të populluara nga shqiptarët, në dëm të kombit shqiptar. Duke u mbështetur në disa gjetje kryesore të Ilirologjisë dhe Albanologjisë në katër shekujt e fundit, kapitulli i tretë eksploron gjenealogjinë Pellazgo-Ilire të shqiptarëve modernë, ku jepet edhe një përmbledhje e rrënjëve apostolike të krishterimit shqiptar.
Kapitulli i katërt regjistron sfidat kryesore me të cilat u përballën ilirët dhe pasardhësit e tyre modernë, shqiptarët, për të ruajtur besimin e krishterë. Fokusi është në përpjekjet e serbëve dhe osmanllinjve për të minuar krishterimin ndër shqiptarë. Këtu analizohet edhe ndikimi i agjendës së Selisë së Shenjtë mbi Evropën Juglindore, dhe në pjesë të ndryshme të kombit shqiptar, që nga fillimi i Mesjetës. Alpion konkludon se Selia e Shenjtë u tregua indiferente ndaj fatit të kombit shqiptar në shekujt XIX-të dhe XX-të, duke favorizuar kështu sërbet dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Në kapitullin e pestë eksplorohet mbijetesa e katolicizmit romak në Kosovë, në kontekstin e disa profesioneve të lidhura me njerëzit, që ndjekin këtë besim, ku vëmendja u kushtohet kryesisht bukëpjekësve dhe argjendarëve. Alpion vë në dukje faktin se, shqiptarët e marrin për të dhënë që identiteti i tyre kombëtar është parësor mbi atë fetar. Kjo vihet re te emrat shqip, që shqiptarët zgjedhin për fëmijët e tyre, e jo emra fetarë.
Në kapitullin e gjashtë përdoret një perspektivë onomastike, për të illustruar përpjekjet e katolikëve romakë shqiptarë për ruajtjen e identitetit të tyre etnik dhe besimit fetar. Këtu përmenden emrat e Nënë Terezës, vëllait dhe motrës së saj, si shembuj që nxjerrin në pah një të përbashkët të dukshme: mënyrën se si shqiptarët i emërtojnë fëmijët në momente kritike të historisë kombëtare. Nikollë Bojaxhiu ia vë emrin ‘Gonxhe’, vajzës së tij të vogël, e cila më vonë do bëhej humanistja e madhe Nënë Tereza.
Në këtë kapitull tërheq vëmendjen poezia, që Goxhja e mitur, në moshën 9 vjeçe, kishte krijuar për të kaluar traumën dhe dhimbjen e madhe, që ajo dhe familja e saj përjetuan me vrasjen e të atit. Në vitin 1946, Motër Tereza i tregon për poezinë e saj një vajze të trembur nga dhuna që kishte shpërthyer ato ditë në Kalkutë. Murgesha shqiptare e këshillon nxënësen të mos trembej, por të shkruante e recitonte me veten një poezi, siç kishte bërë ajo në moshë nëntë vjeçe kur i kishin vrarë babain. “Mesazhi i poezisë është të besosh në dashuri, Marie, edhe kur çdo gjë, që sheh rreth teje, është urrejtje dhe shkatërrim”, e qetëson vajzën Motër Tereza (f.78).
Pesë kapitujt në vijim (7-11) përqendrohen kryesisht në gjenealogjinë e murgeshës shqiptare dhe vlerësojnë ndikimin e prejardhjes së saj në vendimin për t’u bërë murgeshë dhe në natyrën e misionit të saj bamirës. Shumica e informacionit dhe analizave të regjistruara këtu, në lidhje me Nënë Terezën, shfaqen për herë të parë. Me rëndësi, që në fillim, del në pah origjina:
Prindërit e Nënë Terezës vijnë nga Kosova. Të dy kanë lindur në rajon. Origjina e gjyshërve dhe gjysheve të murgeshës është më komplekse. Ndërsa të katërt ishin shqiptarë etnikë, ka arsye për të besuar, se ata e kishin origjinën dikur nga Mirdita, një rajon në veri të Shqipërisë.” (f. 83)
Kapitulli i shtatë hulumton rrënjët dhe profesionet e të afërmve atërorë të Nënë Terezës si dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur besimin katolik romak. Të injoruar plotësisht nga biografët e Nënë Terezës deri më sot, të afërmit e nënës së murgeshës janë thelbësor për katër kapitujt e tjerë.
Kapitulli i tetë përqendrohet në tre aspekte të rëndësishme: rajoni në Shqipëri, migrimi i tyre në Kosovë dhe pasojat e përfshirjes së tyre në fenomenin e gjakmarrjes. Bëhet fjalë për familjen e Rozës (e cila njihej edhe me emrin Drane), nëna e Nënë Terezës. Të afërmit e Rozës ikën nga Mirdita dhe u vendosën në fshatin Novosellë në Kosovë, ku i ati i saj, Ndue Bardhi bëri shtëpinë më të madhe dhe më impresionuese në fshat. Por në pak vite, Ndues i vrasin të atin Pjetrin, pastaj vrasin edhe Nduen, e kur vrasin edhe të vëllain e Rozës, Gjonin, e ëma e Rozës, Drania, merr fëmijët e saj dhe largohet nga fshati për në Shkup. Shtëpia e Ndues u rrëzua nga regjimi komunist jugosllav në vitin 1974, kur u bë e qartë se Nënë Tereza po bëhej ylli i ri i krishterimit katolik. Serbët ortodoksë nuk donin të linin asnjë shenjë në Kosovë që kishte të bënte me origjinën shqiptare të të parëve të saj.
Kapitulli i nëntë tregon detaje të panjohura për prindërit e Nënë Terezës në Shkup, para fejesës së tyre dhe si çift i martuar. Vëmendja pastaj zhvendoset në historitë mjaft të pazakonta të suksesit të dy individëve: dajës Mark të Nënë Terezës dhe babait të saj, Nikollë. Por ky sukses nuk zgjati shumë.
Kapitulli i dhjetë tregon disa nga momentet më të trishtueshme në jetën e Nënë Terezës, gjatë viteve të saj në Shkup dhe vlerëson ndikimin e tyre afatgjatë mbi të. Vëmendja në këtë kapitull është kryesisht në vdek
jet, në harkun e tre viteve, të babait të saj (si rezultat i një vrasje me motive politike) dhe i shtatë anëtarëve të familjes së dajës së saj (kryesisht nga Gripi Spanjoll: 1918-1920). Këtu si duket e ka fillesën edhe ajo që konsiderohet si “nata e errët e shpirtit” të Nënë Terezës, ose e thënë ndryshe, dyshimi i saj në besimin në Zot, me të cilën është marrë dhe po merret Alpion. Partneri venecian i Nikollës, ia merr të gjithë pasurinë atij, duke e lënë gruan e tij të ve dhe 3 fëmijët, pa asnjë burim të ardhurash.
Kapitulli i njëmbëdhjetë prezanton një anëtar të ri, deri tani të panjohur, të familjes së Nënë Terezës: vajzën e dajës së saj ose motrën e adoptuar, Filomenën, gjashtë vjet më e re se Gonxhja, e vetmja anëtare e mbijetuar e familjes së dajës Mark, pas vdekjes së tyre nga gripi spanjoll dhe vdekjes në fund edhe të nënëdajes Drane. Bazuar në kujtimet e Filomenës, kapitulli ofron një tregim të ri, të gjashtë viteve të fundit të Nënë Terezës në Shkup, përpara se ajo të hynte në jetën fetare dhe shkaqet, që e drejtuan atë drejt besimit. Filomena trashëgoi një pasuri jo të vogël nga i ati, të cilën e përdori për të shkolluar në Austri vëllain e Nënë Terezës, Lazrin, dhe motrën e saj, Agen në Beograd. Filomena mbeti vetëm me nënën Roza, pasi Lazri dhe Agia ikën për në Shqipëri, dhe Gonxhja u nis drejt Irlandës në vitin 1928, e më pas drejt Indisë, për t’u bërë pjesë e misionit fetar Loreto, si murgeshë.
Pjesa e Tretë, eksploron personalitetin, punën dhe trashëgiminë e Nënë Terezës nga dy këndvështrime. Nga njëra anë, përqendrimi këtu është në rolin domethënës, që Vatikani ka luajtur në jetën e Nënë Terezës, si besimtare dhe mbështetjen, që ajo mori kur ky institucion fetar e kuptoi rëndësinë e shërbesës së saj, për katolicizmin romak, në kontekstin e Indisë. Nga ana tjetër, kjo pjesë e librit analizon marrëdhëniet e saj me vendin e lindjes dhe njerëzit, që nga vitet e para të saj në Shkup, deri në fund te jetës.
Kapitulli i dymbëdhjetë eksploron qëndrimin e Vatikanit ndaj kombit shqiptar gjatë gjithë jetës së Nënë Terezës. Theksi këtu vihet kryesisht në marrëdhëniet komplekse të këtij institucioni me shtetin modern shqiptar, që nga fillimi i shekullit XX dhe qëndrimi i tij ndaj Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999. Ky kapitull shërben si një sfond i dobishëm, për të kuptuar ndikimin e Vatikanit në qëndrimin e Nënë Terezës ndaj popullit shqiptar, nivelin e interesimit dhe angazhimin me pjesë të veçanta të kombit të saj të copëtuar.
Kapitulli i trembëdhjetë ka një trajtesë mjaft intelektuale të shkaqeve që e çojnë Nënë Terezën drejt misionit fetar. Humbjet që ajo pësoi në jetë, sidomos të babait të saj, bënë që ajo ta shohë figurën e Jezusit si mbrojtës, pas zbrazëtisë së madhe, që i la i ati i vrarë. Pohimi kryesor këtu është se, përveç përcaktimit të vendimit të saj për t’u bërë një murgeshë, këto humbje gjithashtu kontribuan në tjetërsimin e saj nga familja, populli dhe kombi i saj. Në moshën 12 vjeçare, Goxhja mori ‘thirrjen e parë’, që të bëhet murgeshë, por jo me ‘vizione’ siç ka ndodhur në raste të mistikëve të tjerë. E ëma e Goxhes, Roza nuk donte, që e bija të bëhej misionare dhe u mbyll për 24 orë në dhomën e gjumit, kur mësoi se e bija ishte pranuar si murgeshë nga urdhëri i Loretës. Goxhe i tha të ëmës kur u largua nga Shkupi në 1928: “Nuk do të flas më shqip derisa të takohemi herën tjetër”. Ata nuk u takuan kurrë më, pasi u ndanë pas disa ditësh në Sarajevë.
Po ashtu edhe i vëllai Lazri, tashmë oficer në ushtrinë mbetërore shqiptare, e këshilloi Gonxhen të hiqte dorë nga ky synim, pasi ajo “po e varroste veten për së gjalli në Indi”. Gonxhja, e fyer, ju përgjigj: “Ti mendon se je i rëndësishëm, se je oficer dhe i shërben një mbreti të dy milion njerëzve. Unë i shërbej mbretit të të gjithë botës! Cili prej nesh është më mirë?” (f. 167).
Kapitulli i katërmbëdhjetë tregon se Nënë Tereza e kuptoi që nga fillimi i jetës së saj misionare se krishterimi nuk i heq diskriminimet. Duke u bazuar në trajtimin e saj në Loreto, argumenti kryesor këtu është se ajo ishte diskriminuar nga disa eprorë irlandezë në Kalkutë, për shkak të origjinës së saj etnike si shqiptare gjatë shtatëmbëdhjetë viteve, që ajo ishte anëtare e këtij komuniteti. Murgeshat irlandeze shkuan deri aty, sa e akuzuan atë si të ‘çmendur’, dhe aluduan se ajo kishte patur ‘marrëdhënie jo normale’, një ufemizëm për ‘aferë seksuale’ me drejtorin e saj shpirtëror, atë Celeste Van Exem, gjë që nuk ishte e vëretë.
Kapitulli i fundit e krahason dhe vë në kontrast Nënë Terezën me Gjergj Kastriotin, dy personalitetet më të njohura shqiptare që nga shekulli XV. Theksi këtu është në zgjedhjet dhe përparimin e tyre të karrierës dhe marrëdhëniet e tyre me familjet dhe kombin e tyre. Alpion mendon se këto dy figura nuk mund të krahasohen në të njëjtin plan. Kapitulli vlerëson megjithatë rëndësinë e vizitave të Nënë Terezës (1989-1995) në Shqipëri dhe rëndësinë e tyre për kombin shqiptar, si dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me Vatikanin.
Studimi i Alpion nuk është një biografi në vetvete. Megjithatë, pasuria e informacionit e regjistruar këtu për herë të parë dhe analiza që ofrohet në këtë studim dëshmojnë se, ndryshe nga ç’është pretenduar nga disa biografë dhe hagiografë të Nënë Terezës, edhe kjo murgeshe ka biografinë e saj.
Me Nënë Terezën, në mënyrë të pavetëdijshme dhe të vetëvetishme, kombi shqiptar i dha botës një pjesë të shpirtit të vet. Doli në dritë në një formë universale e altruiste, dëshira jo-egoiste e shqiptarëve, për të bërë mirë më shumë për të tjerët, se sa për veten e tyre.