Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për 56-vjeçarin Frederik Frrokaj, i cili përmes mashtrimit tregtonte një medikament me pretendimin se kuronte sëmundjen e koronavirusit.
“ABC” ka siguruar dosjen e 56-vjeçarit që u arrestua në korrik të vitit të kaluar, pasi publikoi në Facebook një video me titull “A e dini si shërohet COVID-19?” ku reklamonte një medikament të krijuar prej tij që sipas tij shëronte sëmundjen Covid-19, por në fakt ishte mashtrim.
Për të dokumentar këtë aktivitet kriminal, prokuroria infiltroi dy agjentë të policisë dhe pasi kanë lënë takim me 56-vjeçarin blenë medikamentin kundrejt shumës prej 20 mijë lekësh.
Në një tjetër episod ishte nipi i Frederik Frrokajt, Henri Frrokaj i cili me porosi të xhaxhait të tij, i çon agjentes dy flakonte për shumën e 40 mijë lekëve, por në momentin e dorëzimit arrestohet.
Nipi nuk arriti që t’i merrte lekët. Gjatë kohës që të dy xhaxha e nip kanë qenë të ndaluar në drejtorinë e policisë, nga përgjimi ambiental rezulton se xhaxhai e pyet nipin “A i more lekët?”.
Ndërsa nipi i tij, Henri Frrokaj i përgjigjet se nuk i mori, pasi në momentin që i dorëzoi ilaçin “ndërhyri policia”.
Më pas janë realizuar analizat dhe ka rezultuar se ky produkt ishte i rremë me përbërje të të cilit 80% e sasisë është kripa. Tashmë, dosja ndaj tij është dorëzuar në gjykatë me akuzën e mashtrimit. ABC