Në Greqi kanë nisur uljet e verës. Për shkak se në dimër kishte lockdown, këtë verë uljet nuk nisën më 15 korrik por 10 ditë më herët. Ato do të zgjasin deri më 31 gusht.
Uljet përfshijnë të gjitha njësitë tregtare për produktet joushqimore si dyqane rrobash, elektroshtëpiake, teknologji, orendi shtëpie, etj.
Ministria e Zhvillimit në Greqi dhe shoqata e tregtarëve kanë nxjerrë një udhëzim në të cilën detajojnë qartë se si duhet të funksionojë ulja e çmimeve. Po ashtu udhëtohen klientët se çfarë duhet të bëjnë që mos bien viktima të mashtrimeve.
Noa.al ju sjell të plotë këto instruksione për të ndihmuar ata që shkojnë të bëjnë shoping dhe të kursejnë vërtet. Por mbi të gjitha, qytetarët mund të mësojnë sesi funksionon ulja e vërtetë për ta ballafaquar me blerjet dhe uljet që bëhen në Shqipëri.
Të gjitha dyqanet që njoftojnë ulje çmimesh, duhet medoemos që te produkti, fjala vjen një rrobe, të jetë i paprekur çmimi i vjetër dhe krahas tij çmimi pas uljes. Në etiketë duhet të shkruhet qartë se sa është ulja. Për shembull nëse një produkt kushtonte më parë 50 euro dhe është ulur përgjysmë duhet vendosur çmimi i ri 25 euro dhe përcaktimi ulje 50 për qind.
Gjithashtu, përqindja e zbritjes duhet të tregohet në vitrinën e dyqanit dhe në çdo komunikim tjetër komercial.
Dyqanet urdhërohen që të mos abuzojnë me njoftimet për ulje. Në rast se ka norma të ndryshme zbritjeje për kategori produkti, duhet të tregohet diapazoni i përqindjes së dhënë (“nga % në….%”).
Në çdo rast tjetër do të duhet të thuhet se zbritjet kanë të bëjnë me artikujt e zgjedhur. Ndalohet që ulja të aplikohet vetëm në një shportë produktesh dhe reklama në vitrinë apo në media të përgjithësojë thjesht se ka ulje.
Mënyra në të cilën llogaritet dhe shpallet çmimi i reduktuar duhet të korrespondojë me të vërtetën dhe të mos jetë e pasaktë.
Tregtarët, do ti nënshtrohen kontrolleve në të cilat duhet të jenë në gjendje të provojnë se çmimi i vjetër i shitjes i treguar në etiketë korrespondon me realitetin, thuhet në udhëzim.
Këshilla ka dhe për qytetarët. Ata ftohen të blejnë vetëm duke u bazuar në të dhënat ndihmëse më sipër. Po ashtu ata ftohen të ballafaqojnë çmimin e ri me të vjetrin që kanë hasur para uljeve.
Udhëzimet në vendin fqinjë vlejnë shumë dhe për Shqipërinë ku çmimet janë shumë abuzive. Dyqanet më së shumti shesin shtrenjtë dhe kur bëjnë ulje, shumica janë spekulative. Një vëzhgim i noa.al në disa qendra të njohura tregtare dhe dyqane në Tiranë do të publikohet në ditët në vijim.
/a.r