Të gjitha ish-komunat e Tiranës që do të jenë pjesë e Bashkisë së madhe do të përfitojnë ulje taksash. Këtë bëri të ditur kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë takimit me Forumin Ekonomik të Tiranës, ku u bë prezantimi i buxhetit të vitit 2016.
“Ajo që ne propozojmë është që zonat përfshihen në këtë bashki me ndarjen e re të kenë discount 30 % për taksat. Duke filluar nga viti që vjen, taksa e pronës, bashkia do të caktojë si agjent tatimor ndërmarrjen e Ujësjellësit”, tha Veliaj.
Në uljen me 30 % sipas kryebashkiakut përfshihet edhe taksa e tokës bujqësore për të gjithë ata që i vënë në prodhim.
“Taksa bujqësore, E vetmja risi që propozojmë për të inkurajuar prodhimin ka të bëjë me të gjitha sipërfaqet që përdoren për prodhim, do të paguajnë -30%”, tha më tej kryebashkiaku.
Veliaj renditi në mënyrë të detajuar të gjithë paketën fiskale për kryeqytetin. Ai përmendi si mjaft të rëndësishme heqjen e taksës për biznesin e vogël, që sipas tij pavarësisht se rëndon mbi buxhetin e Bashkisë, do të sjellë shtimin e vendeve të punës. Një tjetër taksë e ulur sipas tij është edhe ajo e fjetjes në hotel.
“Për bashkinë e Tiranës ku ushtorn 50 % e biznesit të vogël në Shqipëri, jemi të bindur që mijëra biznese që përfitojnë nga heqja e taksës së biznesit të vogël, ky është një lajm i mirë. Për taksën e fjetjes në hotel, ne kemi pasur taksë 5 %, ishte taksë që rëndonte të formalizuarit. Kjo taksë është ulur për kategorinë me 4 deri në 5 yje, ka shkuar në 2 euro e gjysëm, ndërkohë për hotelet e tjera ka shkuar 1 euro”, tha kryetari i bashkisë së kryeqytetit.
Ndryshime pritet të pësojë edhe taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila synon inkurajimin ose dekurajimin e ndërtimit bazuar në gjendjen e territorit.
“Taksa e ndikimit në infrastrukturë, ne e kemi patur 8 euro për metër katror, kjo është qesharake nëse e krahasojmë me vendet e rajonit. Me këtë taksë çdo lloj sharlatani u fut në ndërtim siç ishte ai rasti i Farkës ku kishte hapur një gropë. Në zona ku bashkia do të dekurajojë dnërtimin, tarifa do jetë me lartë. Në zona ku do ta inkurajojë për të shfryrë betonizimin do të çlirohet. Diapazoni 4-8 % e lejon këtë”, tha më tej Veliaj.
Taksa e tabelës do të zerohet për të gjithë ata që reklamojnë biznesin në një tabelë më të vogël se 2 metër katror.