Mediat italiane kanë zbardhur të tjera detaje mbi ekzekutimin e ish-bankierit italian nga dy vëllezër shqiptarë, ndërsa kanë publikuar edhe pamje nga vendngjarja.
Krimi ka ndodhur dje në mbrëmje në qytetin e Leçes, ku 69-vjeçari Giovanni Caramuscio, u qëllua për vdekje me armë zjarri. Vrasja ndodhi ndërkohë që viktima ishte duke tërhequr para në bankomat, në shoqërinë e bashkëshortes. Ai u vra në sy të gruas së tij.
Mediat italiane raportojnë se dy autorët e dyshuar, rreth 1 metër e 65 të gjatë, ishin të maskuar me maska ndërsa afrohen pranë çiftit të bashkëshortëve. Ata kërcënojnë me armë ish-bankierin, ndërsa ky i fundit reagon duke goditur njërin prej tyre në fytyrë. Ky i fundit humbet ekuilibrin dhe bie në tokë.
Por vëllai tjetër qëllon pa mëshirë. Dyshohet se ai ka shtënë tre herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në tokë 69-vjeçarin, që u mbulua nga gjaku.
Dy vëllezërit shqiptarë ranë brenda pak orësh në prangat e policisë italiane. Dyshohet se pistoleta Beretta kalibër 9 është shkrepur nga nga Paulin Mecaj. E njëjta armë është gjetur nga hetuesit në shtëpinë e autorit të dyshuar.
/b.h