Fjalëmbajtja e deputetit në pritje Mark Marku ka qenë një “dalje nga rreshti” e këtij të fundit në Kuvendin Kombëtar.
Ai është “rebeleuar” ndaj propozimeve statutore të kryetarit Basha, thjesht duke mos qenë dakort me to, e njëherësh ka paralajmëruar se nëse vijon ky trend mendësie në PD, ajo s’do mund të vijë në pushtet si alternativë.
Thënë ndryshe, Mark Marku ka tentuar të bëjë Dritëro Agollin me PP-në e 91-shit, fjalimi i të cilit qe historik për efektin në reformimin e mëpastajmë të forcës 50-vjeçare komuniste, edhe pse u prit me fishkëllima në sallë.
Po mu prej llojit të reagimit pati efekt në kohë.
Ndërsa me Mark Markun s’ndodhi kjo gjë.
Gjithsesi, cili qe fjalimi i Mark Markut?
“PD është në pikën më kritike të saj, pavarësisht rezultati. Pse? Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje, është shndërruar në regjim politik me rrezik të lartë. Anëtarësia e PD, opinioni publik, mendoj se kanë pritshmëri tjetër nga ajo që po bëjmë ne sot. Mënyra se si po përballemi në këtë Kuvend, është jashtë kontekstit ku ndodhemi.
Nëse ne nuk kapin kohën politike, ne rrezikojmë që pas 4 vitesh të mblidhemi këtu dhe të themi: na vodhën prapë. Ose masakër zgjedhore.
Duhet të mendojmë që mos të na vjedhin sërish.
Kur na vjedhin dy herë shtëpinë, e ke pak fajin dhe ti, se ke lënë derën hapur. Por diçka nuk shkon, t’i mbyll Kuvendin, voton dhe pastaj flas unë këtu. Ky Kuvend do të prodhojë dy gjëra i bie: Zgjero sa më shumë Kuvendin, por aq më shumë e defunksionalizon. Po hajde ta bëjmë partinë të gjithë Kuvend Kombëtar.
Katër propozimet e Kuvendit janë kot. E disfunksionalizon PD-në. Janë funksione që s’kanë lidhje fare me gjendjen ku ndodhet vendi. Hajde ta bëjmë të gjithë partinë Kuvend Kombëtar. E kthejmë PD-në në një gjendje permanente opozitare dhe pa prespektive për ardhjen në pushtet.
Kemi thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm për të miratuar vendime të zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme. Kështu e shndërrojmë PD në një opozitare permanente. Është krim të mashtrosh ata që na besuan, ti themi ‘na besoni’, ndërkohë që kemi 8 vjet që i themi të njëjtën gjë. PD është e pabesueshme si ofertë ndryshimi është se vetë e refuzon ndryshimin. Ne nuk jemi Parti Demokratike, gjithçka e përcakton kryetari kryesia dhe një grup i vogël i kryesisë”, Mark Marku.
Në fund s’pati asnjë fishkëllimë!./tesheshi
/m.j