Me një minutë heshtje për viktimat e pandemisë nga Covid19 ka nisur punimet Kuvendi Kombëtar i PD. Kryedemokrati Lulzim Basha çeli punimet e Kuvendit, ndërsa kërkoi nga të pranishmit në sallë, të mbajnë një minutë heshtje për të gjithë qytetarët shqiptarë që humbën jetën si pasojë e pandemisë.
“Të dashur demokratë dhe demokrate, të dashur mbështetës e simpatizantë, të nderuar anëtare dhe anëtare, të dashur bashkëqytetarë, të rinj dhe të reja, jam krenar që ndodhem mes jush në këtë sallë që e lartësoni dhe e zbukuroni me mbështetje. Ju ftoj që të mbajmë një minutë heshtje për jetët e humbura për shkak të COVID-19.
Zoti iu dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe iu dhëntë forcë familjeve të tyre. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës, ku lotëve të familjarëve, iu kundërvihet propaganda e qeverisë. Kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofruan gjoba.”- tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se ndaj qytetarëve janë kryer padrejtësi nga qeveria e dështuar, duke nisur me blerjen masive të votave.
“Janë në kujtesën e të gjithëve makinat që erdhën ditë e natë me paratë e drogës dhe korrupsionit. Kemi parë se si aleanca e Ramës me krimin vijon e pandërprerë në çdo nivel. Kemi parë se si me Tom Doshin përdori një sigël si kamuflim, drejtorët e PS i shiti si kandidatë të Tom Doshit”, tha Basha.
g.kosovari