Në emisionin “Java në RTSH”, i ftuar mbrëmjen e sotme ishte ish-deputeti i PD, Arben Ristani.
Duke diskutuar rreth propozimeve të prezantuara gjatë mbledhjes së Komisionit Statutor, Ristani tha se ka pasur një debat të forte në PD.
Në panelin me analistët Lorenc Vangjeli dhe Preç Zogaj, ai u shpreh se kjo është një praktikë që ndiqet në PD, ku pas të gjitha propozimeve zgjidhen ato të kryetarit.
“Ka pasur një debat të forte në PD ku zoti Kadilli ka paraqitur një platformë me objektiva konkrete, mblidhen në Kryesi dhe thonë që në Kuvend nuk do të dërgojmë asnjë nga këto propozimet e juaja por do dërgojmë në Kuvend vetëm propozimet e kryetarit. Ne kemi një praktikë në PD, edhe në kongresin e fundit kishim tre propozime. U dha mundësia për prezantimin e tyre por sërish është vendimi i vetëm që zgjidhet, ai i kryetarit Basha.”- u shpreh Ristani.
Më tej, Ristani u shpreh se sheh një rrëshkitje të PD pasi sipas tij partia po kthehet në parti private të Bashës.
“Janë situata absurde në PD. Unë shoh një rrëshkitje të PD, nga një parti e mirëfilltë po kalon në një parti private të kryetarit,”– tha Ristani në “Java në RTSH”.
/b.h