Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot në faqen zyrtare 3 pyetjet drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Kushtetuesja e ka cilësuar padinë e Shoqatës së Bashkive për zgjedhjet, si të një natyre unike, dhe shton se këshillimi me organe të specializuara, siç është Komisioni i Venecias, është i nevojshëm.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese ka në shqyrtim çështjen e paraqitur nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: “1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve. 2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.
Në seancën plenare të datës 23.06.2021, Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi parashtrimet e kërkuesit dhe subjekteve të interesuara, në bazë të nenit 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi të pezullojë gjykimin e kësaj çështjeje dhe të kërkojë një opinion amicus curiae nga Komisioni i Venecias në lidhje me standardet dhe parimet që duhet të merren në konsideratë në çështjen në shqyrtim.
Gjykata, pasi vlerësoi edhe pyetjet e propozuara nga palët, ka çmuar të nevojshme të parashtrojë pyetjet e mëposhtme për të sqaruar aspektet kryesore të këtij gjykimi:
Pyetja nr. 1 A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?
Pyetja nr. 2 Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?
Pyetja nr. 3 Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?
Nëpërmjet shkresës nr. 291 prot., datë 09.07.2021, Gjykata Kushtetuese i është drejtuar Komisionit të Venecias me kërkesën për dhënien e një opinoni amicus curiae, një kopje e plotë e së cilës u është vënë në dispozicion edhe palëve në proces, si dhe gjendet në linkun e mëposhtëm në shqip dhe në anglisht.
g.kosovari