Policia ka zbuluar detaje mbi vrasjen me thikë në zemër të 27-vjeçarit, Altin Hoxhaj në ishullin Mykonos të Greqisë.
Sipas policisë greke, autorë janë 5 shtetas shqiptarë, të moshës nga 22 deri 29 vjeç. Ata u arrestuan prej policisë helene dhe gjatë marrjes në pyetje, ku deklaruan se krimi ndodhi për një mosmarrëveshje lidhur me qiranë e banesës që njëri prej autorëve 29 vjeç kishte me viktimën.
Policia thotë se viktima dhe njëri prej autorëve,në të kaluarën kishin marrë me qira një banesë së bashku,por 29-vjeçari nuk ishte korrekt me pagesat, çka i kishte çuar të dy ish shokët të debatojnë shpesh mes tyre.
Në vazhdim viktima Hoxhaj ishte larguar nga banesa por sërish kishin vazhduar mosmarrëveshjet mes tyre.
Ditën që ndodhi krimi, të dy kishin debatuar në telefon, dhe në vazhdim kishin lënë një pikë takimi ku do të sqaronin nga afër çështjen mes tyre.
Duket se autori mundi të mbledhë disa shokë të tij dhe të gjithë bashkë e kapën në befasi viktimën. Mes sherrit 29 vjeçari e goditi me thikë dhe sende të forta,duke i marrë atij jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika dhe shkopinjtë me të cilat u godit viktima, si dhe celularët e autorëve dhe viktimës.
Policia tha se trupi i viktimës do të dërgohet për ekzaminim të mëtejshëm mjeko ligjor ndërsa 5 të arrestuarit do të dërgohen në gjykatën e Sirosit për masë sigurie.
/b.h