Fakti që kompania Pfizer dëshiron të ofrojë një dozë të tretë të vaksinës, nuk do të thotë domosdoshmërisht se njerëzit do të presin me padurim ta bëjnë atë. Autoritetet e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara dhe ato ndërkombëtare thonë se tani për tani, ata që janë të vaksinuar plotësisht duket se janë të mbrojtur mirë.
Në rang global, ekspertët po vëzhgojnë nga afër për të përcaktuar nëse njerëzve do t’u duhet një dozë tjetër. Në të njëjtën kohë, shumë sugjerojnë se prioriteti për momentin duhet të jenë vaksinimet, duke vënë në dukje se disa mutacione shqetësuese të koronavirusit nuk do të shfaqeshin me kaq shpejtësi nëse një pjesë më e madhe e Shteteve të Bashkuara, si dhe pjesa tjetër e botës do të kishin përmbushur raundin e parë të vaksinimit.
“Nëse nuk doni të shihni çdo javë një variant të ri “, tha Jennifer Nuzzo, specialiste e shëndetit publik në Universitetin Johns Hopkins, “duhet të bëjmë më shumë punë për t’u siguruar që të gjitha vendet të kenë më shumë qasje tek vaksinat”.
Në vazhdim janë disa pyetje dhe përgjigje në lidhje me imunitetin dhe dozat shtesë të vaksinës.
ÇFARË PO E NXIT DEBATIN PËR DOZËN SHTESË TË VAKSINËS?
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë kanë thënë prej kohësh se njerëzit një ditë mund të kenë nevojë për një dozë përforcuese, ashtu siç është praktika për shumë vaksina të tjera. Për këtë arsye po bëhen studime për të testuar përqasje të ndryshme: doza të thjeshta të treta, teste të dozave të përziera me vaksinën e një marke tjetër për një dozë të tretë, ose një dozë përforcuese eksperimentale të modifikuar për t’iu përgjigjur më mirë varianteve të ndryshme.
Por javën e kaluar, kompania Pfizer dhe partnerja e saj gjermane BioNTech njoftuan se në gusht planifikojnë të kërkojnë autorizimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për një dozë të tretë, pasi ajo mund të rrisë nivelet e antitrupave që luftojnë virusin, duke ndihmuar ndoshta për të shmangur disa mutacione shqetësuese.
Kompanitë nuk kanë bërë publike të dhënat dhe zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thanë se dozat përforcuese nuk janë ende të nevojshme dhe se qeveria, jo prodhuesit e vaksinave, do të vendosin nëse dhe kur do të ndryshojë kjo gjë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të hënën se nuk ka prova të mjaftueshme për të treguar se nevojiten doza të treta. Ajo tha se dozat e pakta duhet të ndahen me vendet e varfëra, dhe jo të përdoren nga vendet e pasura si doza përforcuese.
ÇFARË PROVASH KA SE MBROJTJA E VAKSINAVE VAZHDON TË JETË E FORTË?
Një analizë muajin e kaluar e agjencisë së lajmeve Associated Press konstatoi se pothuajse të gjitha vdekjet nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara po ndodhin në radhët e të pavaksinuarve.
Në javët e fundit, infektimet dhe shtrimet në spital kanë filluar të rriten ndërsa përhapet varianti shumë ngjitës Delta. Por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se rritjet po nxiten nga pjesët më pak të vaksinuara, në një vend që disponon doza të mjaftueshme nëse njerëzit do të donin t’i merrnin.
Asnjë vaksinë nuk është perfekte. Pra, njerëzit e vaksinuar plotësisht herë pas here do të infektohen, por këto të ashtuquajturat raste depërtuese, zakonisht janë të lehta. Zyrtarët që monitorojnë nevojën për doza përforcuese janë duke vëzhguar nga afër për çdo rritje të madhe në infektimet serioze që depërtojnë mbrojtjen që ofrojnë vaksinat.
Deri tani lajmet janë të mira: Njerëzit që ishin të parët në radhë për vaksinat në dhjetor dhe janar nuk duket se janë në rrezik më të lartë për t’u infektuar sesa ata të vaksinuar kohët e fundit, tha të martën Dr. Jay Butler i CDC-së.
A KA TË BËJË DEBATI PËR DOZAT PËRFORCUESE VETËM ME VARIANTET E REJA?
Jo, shkencëtarët po vëzhgojnë gjithashtu për të parë se sa dobësohet imuniteti i përgjithshëm i njerëzve të vaksinuar ndaj koronavirusit. Edhe ky aspekt mund të kërkojë një dozë përforcuese.
Antitrupat që luftojnë viruset gradualisht zbehen. Kjo është normale pasi trupi nuk ka nevojë të jetë në gatishmëri të lartë përgjithmonë.
Por antitrupat nuk janë mbrojtja e tij e vetme. Në momentin që ato nivele bien, trupi ka formuar një gjendje rezervë. Ndër to janë qelizat B të kujtesës të cilat kur ekspozohemi sërish ndaj virusit, “shpërthejnë dhe fillojnë të ndahen si të çmendura” për të prodhuar antitrupa të rinj, tha imunologu i Universitetit të Pensilvanisë, Scott Hensley.
Një tjetër rezervë: Qelizat T që vrasin qelizat e infektuara nga virusi për të mos lejuar që situata të rëndohet.
Studimet laboratorike sugjerojnë se antitrupat nuk janë aq të fuqishëm kundër variantit Delta sa janë kundër disa versioneve të mëparshme të koronavirusit, por ende shërbejnë për t’u mbrojtur. Specialistët shqetësohen më shumë për perspektivën e mutacioneve të ardhshme që mund t’u shpëtojnë vaksinave të sotme, diçka e parandalueshme vetëm duke luftuar përhapjen virale kudo që ajo ndodh.
SI PO IA DALIN VENDET E TJERA ME VARIANTIN DELTA?
Të dhënat nga jeta reale në Angli, Skoci, Kanada dhe Izrael tregojnë se vaksinat e përdorura më gjerësisht në vendet perëndimore vazhdojnë të sigurojnë një mbrojtje të fortë. Studiuesit në Britani konstatuan se dy doza të vaksinës Pfizer, për shembull, janë 96% mbrojtëse nga shtrimi në spital me variantin delta, si dhe 88% efektive kundër infeksionit simptomatik.
Izraeli kohët e fundit raportoi të dhëna paraprake që sugjerojnë se mbrojtja ndaj infeksionit të butë me variantin Delta ka rënë më poshtë, në 64%. Por, mbrojtja ndaj sëmundjes së rëndë mbeti e lartë.
Ekzistojnë më pak informacione se si rezultojnë vaksinat e tjera përballë variantit delta. Tajlanda njoftoi këtë javë se punonjësve të shëndetësisë që kishin marrë dy doza të një vaksine kineze do t’u jepet një dozë përforcuese e prodhuar nga kompania AstraZeneca.
A MUND TË KENË NEVOJË DISA NJERËZ PËR NJË DOZË PËRFORCUESE PËRPARA PJESËS TJETËR TË POPULLSISË?
Kjo është e mundur. Izraeli sapo filloi shpërndarjen e dozave të treta të vaksinës Pfizer te personat që kanë bërë transplant dhe pacientët e tjerë me sistem të dobët imunitar. Arsyeja? Njerëzit që marrin ilaçe të caktuara që ulin imunitetin nuk reagojnë si njerëzit e shëndetshëm ndaj vaksinave, jo vetëm ndaj vaksinave për COVID-19.
Franca ka tashmë një politikë të ngjashme për dozën e tretë për personat me imunitet të dobët. Edhe pse nuk është autorizuar në Shtetet e Bashkuara, disa njerëz që kanë bërë transplant kërkojnë një dozë të tretë me shpresën për më shumë mbrojtje.
Ende nuk është provuar nëse ndihmon një dozë e tretë dhe, nëse po, kush ka nevojë për një të tillë dhe kur. Studimi i parë i madh i strategjisë për këtë çështje po fillon tek mijëra pacientë në Norvegji.(VOA)