Amendamenti i propozuar nga kryeministri Rama dhe deputeti Balla është bërë objekt i debateve në seancën e sotme parlamentare. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të demokratëve ka kërkuar kalimin e rezolutës sot, e majta ka këmbëngulur që ai më parë të shqyrtohet në komisionet parlamentare në janar.
Në fjalën e tij, Edi Paloka tha se rezoluta duhet të miratohet brenda 20 shkurtit, ndërsa theksoi se ka qenë PD ajo që i dënoi me burg ish-anëtarët e Byrosë Politike dhe shpalli të jashtligjshme Partinë Komuniste.
Nga ana tjetër, Gramoz Ruçi tha se e majta ka shpalosur përgjegjësinë politike duke sjellë në vëmendje edhe ndjesën e Ramës pak ditë më parë.
Ndërkohë, pjesë e debatit është bërë dhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e akuzoi mazhorancën për hipokrizi.
“Asnjë ligj nuk e pengon që të hyjë me procedurë të përshpejtuar rezoluta e propozuar nga ne. Çdo zëdhënës i zotit Rama në këtë foltore ka përcjellë vetëm hipokrizinë. NuK ka nevojë për ligj që të hiqen dekoratat, mjafton vetëm një urdhër apo VKM nga kryeministri. Nuk ka nevojë për parlament” – tha Topalli.