Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, duke iu referuar dokumenteve autentike, zbardh në faqen e tij në FB historinë e dënimit të Hysen Shoshorit, rrethanat si u prangos, duke hedhur trakte antikomuniste në Tiranë, emrat e dëshmitarëve që e kryqëzuan, vendin e dënimit të të ndjerit e deri te zyrtarët që rënduan pozitën e tij.
Ai thotë se emri i Sali Berishës, që akuzohet se ka dëshmuar kundër Shoshorit, nuk ka lidhje me këtë proces.
Hysen Shoshori nuk ka qenë i denoncuar, por i arrestuar në kushtet e flagrancës. Asnjëherë ndaj tij nuk u vu dyshimi më i vogël se shpërndante trakte. Kjo sepse ai vepronte pothuajse vetëm dhe traktet i ndante personalisht pa ua dhënë të tjerëve. Ai hodhi trakte me përmbajtje antikomunistë nga 4 qershori 1967 deri ditën që u arrestua, më 29 gusht 1974.Veprimtaria e Shoshorit zgjati 7 vjet. Traktet nisën pikërisht ditën e zgjedhjeve për këshillat popullorë. Ai punonte saraç në uzinën e artilerisë. Revolta e tij nis fill pasi pushteti komunist i shtetëzoi një kopsht të vogël, me të cilin ai ushqehej. Ajo ishte protesta e heshtur e një njeriu që denonconte diktaturën komuniste, jetën e keqe dhe vuajtjen e popullit shqiptar.
Si përgjigje ndaj këtij shtetëzimi, ai nis të shkruajë me mjete amatore traktet e t’i shpërndajë vetëm afër lagjes ku banonte.Traktet ishin shkruar me penë të thyer, duke përdorur disa lloj letrash. Pas gati 3 vjetësh kërkimesh të pafrytshme, më 10 janar 1970 organet përkatëse të Punëve të Brendshme kanë çelur dosjen e kërkimit nr.33, të titulluar “Kafka”.
U vu ky emër dhe u quajt problem agjenturialo-operativ, sepse traktet e Shoshorit ishin pothuaj të gjitha me dy kafka, në të cilat ai ironizonte Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun. Në ndjekjen e mundshme të tij, Sigurimi dështoi tërësisht. Asnjëherë nuk mundi ta identifikonte apo të dyshonte rreth tij. Plot 97 persona u dyshuan si shpërndarës të mundshëm traktesh.
Ndonjëri edhe mund të arrestohej kot së koti siç e kishin zakon këta të Sigurimit, të cilët e kishin të vështirë të bëheshin njerëz inteligjentë. E si për inat, disa vite më vonë, Sigurimi i arrestoi dhe i dënoi të vëllanë Hysen Shoshorit.
Po si u zbulua? Hedhja e madhe e trakteve në rrugën “Qemal Stafa” e në zonën rreth saj, bëri që kjo rrugë të kontrollohej më shumë nga forcat e policisë. Pavarësisht se çështjen e ndiqte Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit, arrestimi i Shoshorit nuk u bë nga ata, as nga ndonjë denoncim, por nga Policia. Ky arrestim ishte i rastësishëm dhe jo i planifikuar. Ai u pikas rastësisht nga një polic dhe nga një vullnetar i AGBV-së (Anëtar i Grupit të Bashkuar Vullnetar, strukturë ndihmëse e policisë e përbërë kryesisht nga pensionistë ose punonjës të përkushtuar). Më tej vazhdon hetimi dhe dënimi i tij. Në procesin e Shoshorit kanë dalë 18 dëshmitarë. Dy të parët ishin punonjësi i AGBV-së dhe polici që e arrestoi. Të tjerët ishin kalimtarë që kishin lexuar traktet qoftë edhe ish- policë, si dhe punëtorë të uzinës ku punonte Shoshori. Drejtpërdrejt me çështjen e tij kishin lidhje vetëm dy personat që e arrestuan dhe një shoku i tij që akuzohej për moskallëzim krimi.
Polici Dushan H. për këtë ngjarje dëshmon:
“Më datën 29 gusht, duke qenë me shërbim me anëtarin e Grupit të Bashkëpunimit Vullnetar, të quajturin Mustafa P., në vendin e quajtur rrugica e ambulancës qendrore…, aty rreth orës 21:15 pashë një person civil, të cilin nuk e njihja. Ai person nuk na shikonte ne, ndërsa ne i shikonim veprimet e tij.
Ai duke ecur në rrugicë kthente kokën sa andejkëndej dhe kur u afrua afër nesh që ishte një kthesë, unë pashë se një dorë e mbante në xhepin e pantallonave. Si mori kthesën duke ecur, pashë që nxori dorën nga xhepi, e vuri te goja dhe e lagu me pështymë dhe me të shpejtë e futi përsëri në xhep. Mua këto veprime të tij më lanë të dyshoja dhe e shikova me vëmendje të madhe.
Ai porsa futi dorën në xhep, nxori prej andej një letër të bardhë dhe e hodhi në tokë duke vazhduar ecjen normale. Unë menjëherë shkova dhe pashë se çfarë ishte kjo letër që ishte e shkruar me dorë e me përmbajtje armiqësore. Letrën e futa në xhep, i jap sinjalin anëtarit të AGBV-së, Mustafa P., dhe menjëherë vihem në ndjekje të personit që hodhi letrën.
Mustafait i them të më sillte biçikletën… I hipa biçikletës dhe e pashë rreth 100 metra në anë të djathtë të rrugës ‘QemalStafa’. Me qëllim që ta kapja e mos krijoja konfuzion, i afrohem duke i takuar rrotën e biçikletës. Lë biçikletën dhe e kap atë duke përdorur sambon, duke i thënë pse më pengove rrugën. Këtë ia thashë me qëllim që të mos dyshonte derisa unë ta mposhtja. Në këtë kohë erdhi edhe Mustafa P., e kapi dhe ai. Me makinë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. E kontrolluam e në xhepin e pantallonave i gjetëm disa letra të shkruara me germa të mëdha me përmbajtje armiqësore”.
Personi i AGBV-së, Mustafa P., thotë:
“Më datën 29 gusht 1974, unë si anëtar i Grupit të Bashkimit Vullnetar, u ngarkova nga Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë me shërbim bashkë me policin Dushan H., në rrugën ‘Qemal Stafa’, pranë ambulancës qendrore. Aty nga ora 21:15 duke qenë në vrojtim, pamë një person që vinte nga prapa ambulancës për të dalë në rrugën ‘QemalStafa’. Ai person në cepin e ambulancës hodhi një letër dhe iku. Ne e morëm letrën, e pamë. Ajo kishte përmbajtje armiqësore. Atëherë vepruam në drejtim të atij personi dhe e kapëm disa metra më lart, në rrugën ‘Qemal Stafa’. E kontrolluam. Në xhep kishte disa fletushka të tjera me përmbajtje armiqësore. Menjëherë e shoqëruam në Drejtorinë e Punëve të Brendshme. Në drejtori mësova se personi quhej Hysen Shoshori”.
Në përfundim Hysen Shoshori u dënua me vdekje, por dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie. Vuajti nëpër kampe dhe së fundi në kampin nr.305, në Përparim të Sarandës. Doli prej burgut me ardhjen demokracisë me një mal me vuajtje mbi shpinë, duke mos merituar asnjëherë keqpërdorjen që iu bë emrit të tij.