Pasi e pezulloi nga detyra, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zbardhur vendimin për gjyqtaren e videove në “Tik-Tok” Enkeleda Kapedani.
Sipas dokumentit, KLGJ i ka lënë disa detyra Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për të bërë disa verifikime ndaj gjyqtares.
ILD duhet që të përcaktojë një ekspert të IT-së për të bërë zbuluar se kush i ka publikuar videot e famshme të Kapedanit në rrjetin social “Tik-Tok”.
Veç kësaj, duhet që ILD të dokumentojë dhe tekstet e këngëve që janë në sfond të videove që gjyqtarja kishte realizuar.
Një tjetër detyrë për këtë institucion është dhe zbulimi dhe verifikimi i të gjithë personave që kanë pasur akses në videot e Enkeleda Kapedanit.
“Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se për të arritur në një konkluzion të drejtë dhe të rregullt mbi procedimin disiplinor të filluar ndaj magjistrates, është i nevojshëm dokumentimi i tekstit të këngëve që shoqërojnë në sfond muzikor videot me imazhin personal të magjistrates, që nga ILD janë vlerësuar me natyrë jo të hijshme dhe të përshtatshme për imazhin e një magjistrati”, thuhet në një nga pikat.
Një nga këngët që Kapedani ka dëgjuar në zyrën e saj, është ‘Mafia’ e reperit Don Xhoni. Një pjesë e këngës e zbardhur më poshtë:
‘Mafi-Mafi-Mafia, rrethi jem o mafia. Nike t’zeza synthia, Don Xhon in Columbia. Vija t’bardha, dhipi fresh. Dridhe dridhe thoben fort, mos fol, mos ma tesh’
g.kosovari