Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu thotë se projekti për ndërtimin e fabrikës prodhuese të vaksinave kundër koronavirusit në Shqipëri është në hapat e tij të parë.
E ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, Manastirliu sqaroi se ndërtimi i kësaj fabrike është prioritet ndaj qeveria po i krijon të gjitha kushtet.
“Është patjetër një ndër ato prioritete që ne kemi me tregun farmaceutik që në Shqipëri të mundet pra që veç prodhimit të barnave dhe të manifakturës apo fabrikave të prodhimit të barnave të ketë mundësi të prodhohen dhe vaksinat. Apo dhe ku të kryhen proçese të ndryshme të përgatitjes së vaksinave.
Ky është një projekt i cili është në hapat e tij të parë por që ne, kryeministri Rama e ka vendosur në prioritetet për ta çuar përpara duke krijuar të gjithë mundësitë për ta ndërtuar këtë fabrikë, për të krijuar kushtet për ndërtimin e saj.
E cila të sigurojë një prodhim të vaksinave jo vetëm për tregun vendas por duke pasur një qasje edhe më të gjerë, një qajse për rajonin. Pa dyshim që një ndër prioritetet tona në raport me sigurimin jo vetëm të vaksinave por edhe me sigurinë e barnave është edhe bashkëpunimi me agjencinë turke ku shumë shpejt do të finalizojmë edhe një memorandum binjakëzimi me ta. ”
Rreth 85% e personelit shëndetësor në vend janë vaksinuar kundër Covid-19. Ministrja e shëndetësisë thotë se synimi është që mbulesa vaksinale e personelit shëndetësor të rritet edhe më shumë.
“Deri më tani ne jemi në përqindje të mirë të mbulesës vaksinale, pra jemi në rreth 85% të personelit shëndetësor. Sigurisht një pjesë e personelit është e pavaksinuar ende, ata që e kanë kaluar Covid-19 dhe presin të bëjnë muajt pra për tu vaksinuar. Por ne do ta vlerësojmë hap pas hapi. Deri tani mbulesa vaksinale është e mirë por synimi është që ta rrisim akoma më shumë.”- tha Manastirliu në Përballë.
g.kosovari