A e lufton vërtetë kancerin? A e ulë kolesterolin? Ne e filtrojmë hulumtimin për të zbuluar se cilat pohime shëndetësore në fakt janë të vërteta.
Mënyra se si studimet shkencore dhe gurut e shëndetit kanë promovuar përfitimet e çajit gjatë viteve të fundit, ju bëjnë të mendoni që çaji është një lloj eliksiri magjik i gjithë-fuqishëm. Përmirësimi i shëndetit të zemrës, reduktimi i rrezikut të kancerit, shmangja nga dementia dhe diabeti – gati nuk ka ndonjë përfitim shëndetësor i cili nuk i është atribuuar çajit.
Është e vërtetë që çaji ka antioksidantë që luftojnë sëmundjet, dhe për aq sa e dinë të gjithë, është i shkëlqyeshëm për ne. “Shkenca është gjithsesi premtuese,” tha dr. David L. Katz, drejtor i Qendrës Hulumtuese për Preventivë në Universitetin e Yale. “Por publiciteti i tepruar e tejkalon këtë dhe tenton të bëjë premtime që shkenca ende nuk mund t’i japë”. (Jo, çaji me siguri nuk do të kurojë depresionin, eliminojë alergjitë ose të rrisë fertilitetin tuaj!) Ne kemi folur me ekspertët dhe kemi peshuar studimet për të ndarë të vërtetën nga publiciteti i tepruar.
Pse çaji është aq atraktiv
Së pari një definicion: Kur shkencëtarët flasin për çajin, ata mendojnë në çajin e zi, të gjelbër, të bardhë ose çajin oolong – ku të gjithë janë bërë nga gjethet e bimës Camellia sinensis. Llojet herbale, si kamomili dhe peperminti, teknikisht nuk konsiderohen çaj; ato janë ekstrakte të bimëve tjera me karakteristika të ndryshme ushqyese. Nëse nuk jeni të sigurt çfarë lloji jeni duke pirë, kontrolloni përbërësit për fjalën “çaj”.
Ajo çka i bën katër llojet e çajit të ndryshëm nga njëri-tjetri është mënyra se si përgatiten gjethet dhe sa të pjekur janë ata, çka ndikon shijen dhe përbërjen ushqyese. Çaji i zi bëhet nga gjethet që janë fishkur (tharë) dhe pastaj oksiduar tërësisht (çka nënkupton që lëndët kimike në gjethe janë modifikuar përmes ekspozimit në ajër). Gjethet e çajit të gjelbër janë tharë, por jo oksiduar. Çaji oolong është tharë pastaj oksiduar pjesërisht, dhe çaji i bardhë nuk është tharë e as oksiduar.
Të katër llojet e çajit kanë sasi të larta të polifenolet – një tip i antioksidanti që duket që i mbron qelizat nga dëmtimet e ADN-së që mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje tjera. Janë poliofenolet që e kanë bërë çajin yll të shumë studimeve, derisa hulumtuesit përpiqen të gjejnë nëse i gjithë ai potencial kimik përkthehet në një mjet që vërtetë lufton sëmundjet.
Shumica e hulumtimeve janë fokusuar në çajin e zi, i cili përfshin rreth 75 për qind të pijeve të botës, dhe çajin e gjelbër, varieteti më i zakonshëm i konsumuar në Kinë dhe Japoni. Çaji i gjelbër në veçanti përmban sasi të lartë të antioksidantëve – sidomos një lloj të polifenoleve që quhen katekine, ku më i aktivi dhe më i bollshmi është epigallocatechin-3-gallate (EGCG), transmeton Koha.net. “Kjo është pse çdo vit pesë herë më shumë studime kryhen për çajin e gjelbër se sa të ziun – dhe pse gjithmonë dëgjoni vetëm për fuqinë e llojit të gjelbër”, tha Diane L. McKay, profesoreshë asistente e ushqimit në Tufts University Friedman School of Nutrition Science and Policy.
Pohimet më premtuese për pirjen e çajit përfshijnë këto dobi shëndetësore:
– Parandalimi i kancerit. “Një rishikim i 51 studimeve për çajin e gjelbër në vitin 2009, ka zbuluar që pirja e tre deri katër filxhanëve në ditë mund të zvogëlojë rrezikun nga kanceri i vezoreve, kolorektal, i mushkërive dhe i prostatës, por jo edhe të gjirit dhe kancereve tjera”, tha autorja kryesore, Katja Boehm, një hulumtuese në Qendrën e Mjekësisë Integrative në Unieversitein e Integrative Medicine në Gjermani. Sa i përket çajit të zi, Institutet Nacionale të Shëndetit (NIH) e konsiderojnë atë “ndoshta efektiv” për uljen e rrezikut të kancerit të stomakut dhe kolorektal.
– Dobitë e trurit. Pirja e prej një deri katër filxhanëve çaj të gjelbër ose të zi në ditë është lidhur me rrezikun më të ulët nga sëmundja e Parkinsonit, sipas NIH.
– Ndihma zemrës. “Pirja e çajit mund të jetë ndihmuese në parandalimin ose shtyrjen e faktorëve të caktuar të rrezikut ose sëmundjeve kardiovaskulare dhe uljen e LDL-së, kolesterolit të keq dhe triglicerideve,” tha McKay. Një studim japonez ka zbuluar që të rriturit të cilët kanë pirë pesë ose më shumë filxhanë çaji të gjelbër në ditë kanë reduktuar për 26 për qind shanset e vdekjes nga sulmi në zemër dhe tru krahasuar me ata që kanë konsumuar një filxhan ose më pak; efekti ka qenë më i madh tek femrat se sa meshkujt.
Duhen të kryhen hulumtime tjera për përfitimet tjera potenciale. Një studim i vogël ka sugjeruar që katekinet dhe kafeina në çajin e gjelbër mund t’u japin një shtytje të vogël metabolike personave në dietë çka mund të ndihmojë në djegien e ekstra kalorive gjatë ditës.
Po ashtu ka edhe një dosje të vogël, për atë se si pirja e çajit mund të ndihmojë të shmanget osteoporoza dhe të reduktohet mundësia e dëmtimit të dhëmbëve, për shkak të fluorideve që i përmban. Dhe EGCG, ai antioksidant i çajit të gjelbër, është zbuluar që rrit numrin e qelizave të rëndësishme që ndihmojnë imunitetin (të ashtuquajtura qelizat-T rregullatore) – por vetëm në një studim të kafshëve.
Gllënjkat e zgjuara
E gjithë kjo tingëllon mjaft joshëse. Atëherë pse organizatat e mëdha shëndetësore nuk na këshillojnë të pimë çaj si të çmendur? Është çështje e nevojës për më shumë dëshmi të forta. “Këtu ka perla me premtime të vërteta, por ata duhen akoma të lidhen bashkë,” tha Katz. “Ne nuk kemi teste klinike në pacientët njerëzor që tregojnë që shtimi i çajit në rutinën e dikujt ndryshon rezultatet shëndetësore për më mirë.”
Pjesa më e madhe e hulumtimit të kryer ishte vrojtuese apo monitoruese, që do të thotë shkencëtarët nuk e dinë nëse mbështetja mjekësore e parë tek ata që e pinë çajin është rezultat i asaj shprehie, apo disa faktorëve tjerë që i bën këta njerëz më të shëndetshëm, transmeton Koha.net. Dhe shumë nga këto studime që kanë shqyrtuar disa komponime specifike në çaj janë kryer në laborator ose në kafshë, por jo në njerëz.
“Këto kemikate veprojnë si antioskidantë në epruvetën testuese, po ndoshta nuk e bëjnë gjënë e njëjtë në trupin tuaj,” shpjegon Emily Ho, profesoreshë e asocuar në departamentin e shkencës së ushqimit dhe ushtrimeve në School of Biological and Population Health Sciences në Oregon State University. “Pohimet duhet t’i merrni me një dozë dyshimi”.
Thënë kjo, ekspertët pajtohen që një filxhan në ditë, ose pesë, nuk do t’ju bëjnë dëm, dhe mund t’ju ndihmojnë të luftoni sëmundjen. (Nëse jeni duke provuar ta kufizoni konsumin e kafeinës, zgjidhni çajin pa kafeinë – i cili po ashtu ka antioksidantë, edhe pse më pak se lloji me kafeinë.)
“Çaji është me siguri më i mirë se shumë pije tjera”, tha Lona Sandon, profesoreshë asistente në South-ëestern Medical Center dhe zëdhënëse për Asociacionin Dietik Amerikan. “Vetëm sigurohuni të keni edhe shprehitë tjera të shëndetshme të stilit të jetesës – ju nuk mund të llogaritni vetëm në çaj për të parandaluar kancerin”.