Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar këtë të martë një konferencë ku ka mbledhur ministrat për të diskutuar mbi paketën e re ligjore të prokurimit publik.
Në takimin e kaluar, Rama kishte mbledhur kryebashkiakët për t’i prezantuar pikat kryesore të kësaj pakete, teksa i paralajmëroi se do të kishin të njëjtin fat si Fatos Tushe, kryebashkiaku i Lushnjes i arrestuar, nëse do të abuzonin me tenderat.
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve.
Atë që sheh me problematikë, Rama tha se është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencia e Prokurimet.
“Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara, prandaj dua që të bëj me shumë pak fjalë në mënyrë të përmbledhur një bilanc të cilin do t’ju inkurajoja që ta shikoni në mënyrë të specifikuar sipas fushave sepse ka të dhëna të rëndësishme.
Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet. 20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore”, tha Rama.
/b.h