Mijëra kubanë janë mbledhur në një protestë të rrallë kundër qeverisë komuniste. Me parullën “Poshtë diktatura”, protestat antiqeveritare nisën në mënyrë krejt spontane në disa qytete, ndërsa vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në 30 vitet e fundit.
Qindra marshuan në rrugët e Havanës duke kënduar “Duam liri”, ndërsa prezenca ushtarake shtohej para ndërtesave qeveritare. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe arrestoi dhjetë protestues.
Presidenti Miguel Diaz-Canel u përgjigj me anë të një daljeje televizive duke u kërkuar mbështetësve të tij të përballen me protestuesit.
“U bëjmë thirrje revolucionarëve të vendit, të gjithë komunistëve, të dalin në rrugë atje ku po ndodhin këto provokime dhe të përballen me to në mënyrë decizive dhe kurajoze”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara reaguan menjëherë në lidhje me protestat.
“SHBA mbështet lirinë e shprehjes dhe protestat në të gjithë Kubën dhe do të dënojë me forcë çdo rast dhune ndaj protestuesve paqësorë që po ushtrojnë të drejtat e tyre universale“, tha Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Jake Sullivan, në Twitter.
Zemërimi i kubanëve
Kubanët janë të zemëruar për mungesën e shërbimeve bazë. Një vendas në San Antonio de los Banos i tha AFP në kushte anonimiteti se shkak për protestat është “situata me energjinë elektrike dhe ushqimin”.
Krahas mungesës së energjisë elektrike dhe vështirësisë për të siguruar ushqimin, në Kubë raportohet edhe për mungesën kritike të ilaçeve që nga fillimi i epidemisë Covid-19, pasi vendi është subjekt i sanksioneve amerikane.
Kuba po përjeton fazën më të vështirë të epidemisë së koronavirusit.
Vendi me 11.2 milion banorë mbeti relativisht i padëmtuar në muajt e parë të shpërthimit të Covid, por ka parë një rritje të infeksioneve. Të dielën u shënua një rekord i ri prej 6.923 rastesh ditore dhe 47 vdekjeve, nga një total prej 1.537.
Të vetmet mbledhje të autorizuara në Kubë janë zakonisht eventet e Partisë Komuniste.
Diaz-Canel ka drejtuar Kubën që nga viti 2018, kohë kur pasoi Raul Castron, i cili shërbeu si lider pas vëllait të tij Fidel Castro.
Nën hashtage të tillë si #SOSCuba, thirrjet për ndihmë janë shumëfishuar në mediat sociale, ku qytetarë dhe yje të muzikës i kërkojnë qeverisë të bëjë të mundur që donacionet e huaja të pranohen në vend.
Një grup opozitar bëri thirrje të shtunën për krijimin e një “korridori humanitar”, një iniciativë që qeveria e hodhi poshtë duke thënë se Kuba nuk është një zonë konflikti.
Ernesto Soberon, zyrtar i punëve të jashtme, denoncoi një “fushatë” që sipas tij po krijon “imazhin e një kaosi total në vend, që nuk korrespondon me situatën”. TEMA