Ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Bojan Maricic, në një intervistë për Euronews Albania deklaroi se ligji për shtetësinë do të miratohet së shpejti. Ai pranoi se ka 3 mijë kërkesa për shtetësi, por nuk e konsideroi këtë shifër problematike.
“Ligji tashmë është në parlament, dhe ka një grup të vogël deputetësh, vetëm 2 deputetë të cilët janë nga e majta ekstreme dhe po përpiqen ta bllokojnë këtë ligj me një numër të arsyeshëm ndryshimesh, por mendoj se ne do të gjejmë një mënyrë për të anashkaluar këtë bllokadë dhe për ta zgjidhur këtë çështje dhe nuk mendoj se kjo është diçka që mund të shkaktojë ndonjë problem madhor, as për qytetarët që në një farë mënyrë preken nga ky ligj, as për partitë politike në parlament”, u shpreh ai.
Ndërsa për censusin e popullsisë, ministri tha se ky proces do të nisë më 5 shtator dhe do të përfundojë më 30 shtator.
Gjithashtu, ai tha se sistemi i drejtësisë po i nënshtrohet procesit të “filtrimit”, i cili është i ngjashëm me atë që po zhvillohet në Shqipëri.
“Ne kemi vendosur të mos shkojmë drejt një procesi të plotë vetingu siç po ndodh në Shqipëri, pasi nuk kishim kohë dhe instrumentet e duhur për ta bërë këtë dhe nuk kishim të njëjtën situatë si ju. Sigurisht ne i kemi identifikuar sjelljet korruptive në sistemin gjyqësor si dhe në prokurori, ne e kemi identifikuar ndikimin politik, por nuk vendosëm të shkojmë me procesin e vetingun e plotë, por në të kundërt të bënim një filtrim. Ky është një koncept i ndryshëm”, tha ai.
Ai shtoi se në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, shumë pozicione të larta mbahen nga shqiptarët dhe mohoi që të ketë gjykime me selektim etnik./m.j