Kompania Pfizer Inc planifikon të kërkojë nga rregullatorët e SHBA-së që të autorizojnë një dozë përforcuese të vaksinës së saj ndaj COVID-19 brenda muajit të ardhshëm.
Kjo do të bëhet bazuar në prova më të mëdha të rrezikut të një ri-infektimi gjashtë muaj pas vaksinimit dhe përhapjes së variantit shumë ngjitës Delta.
Sipas Reuters, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thanë, megjithatë, në një deklaratë të përbashkët se Amerikanët që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë për një dozë përforcuese COVID-19 në këtë kohë. Disa shkencëtarë gjithashtu kanë vënë në dyshim nevojën për doza përforcuese.
FDA dhe CDC, në deklaratën e tyre të përbashkët, thanë: “Ne jemi të përgatitur për doza përforcuese kur shkenca demonstron se ato janë të nevojshme”.
Vaksina, e zhvilluar me partnerin gjerman BioNTech, tregoi efikasitet 95% në parandalimin e COVID-19 në një provë klinike që kompanitë zhvilluan vitin e kaluar. Pfizer planifikon të fillojë së shpejti një provë të efikasitetit të kontrolluar me placebo me 10,000 pjesëmarrës. Studimi do të zgjasë gjatë gjithë vjeshtës, që do të thotë se nuk do të përfundojë përpara regjistrimit të kompanisë në Administratën e Ushqimit dhe Barnave.
Pfizer pret që vaksina COVID-19 të jetë një kontribues kryesor i të ardhurave për vite me radhë dhe ka parashikuar shitje prej 26 miliardë dollarë nga vaksinimet në 2021. Shpenzimet globale për vaksinat COVID-19 dhe dozat përforcuese mund të arrijnë 157 miliardë dollarë deri në vitin 2025, sipas të dhënave shëndetësore të SHBA.
g.kosovari