Italia ka shpërthyer në festë pasi mundi që të kalonte në finalen e Euro 2020. Tifozët në Cuneo festuan pas përfundimit të ndeshjes duke mos pyetur për rregullat e Covid dhe as për ligje.
Dhe për shkak të thyerjes së rregullave ka ndodhur një aksident ku është përfshirë edhe një shqiptar.
Ai ka përplasur një motor me dy pasagjerë dhe e gjithë ngjarja është regjistruar nëpër telefonat e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, të cilët siç duken nga pamjet shokohen pas asaj që ndodh.
Shqiptari po drejtonte një makinë tip Fiat Punto dhe teksa po kryente disa manovra në shesh përplaset fuqishëm me një motor. Aty udhëtonin një djalë maroken 20 vjeç së bashku me një adoleshente 14-vjeçare.
La Stampa shkruan se e mitura ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe i është thyer nofulla, ndërkohë 20-vjeçari është dërguar në spital vetëm me dëme në fytyrë.
Shoferi i makinës është 25 vjeç. Deri më tani autoritetet nuk e kanë publikuar emrin e shqiptarit, por ajo që dihet me siguri është që në momentin e aksidentit ai ka qenë i dehur.
Makina i është sekuestruar ndërsa ndaj tij rëndon akuza e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur dhe të rrezikshme. Po ashtu ka marrë një gjobë të majme sepse mjeti nuk kishte siguracion dhe certifikatë regjistrimi./m.j