Në mediat greke dhe britanike vijon që të zërë një hapësirë kryesore mbytja e 20-vjeçares Caroline nga burri i saj, piloti Babis Anagnostopulos në 11 maj, ndërsa autorësia e krimit u zbulua pas 37 ditësh. E ndërsa piloti pranoi krimin, mister mbetet motivi, ndërsa pistat janë disa.
Mediat greke shkruajnë se prindërit e Caroline dinë shumë më tepër për motivin e vërtetë të autorit të krimit, por edhe për një “sekret” që Caroline mund të ketë ditur çka bëri që burri t’i merrte jetën.
Ndërkohë që “The Sun” në Britani zbulon detaje të reja nga momenti i arrestimit të Babisit, transportimit të tij nga Alonissos për në Athinë. “The Sun” duke iu referuar një burimi policor shkruan se vrasësi fillimisht u transportua me anije nga Alonissos në Skiathos dhe prej andej me aeroplan në Athinë.
Por përse nuk u transportua me helikopter nga Alonissos në Athinë? “Operacioni ishte planifikuar në detaje. Ne nuk donim ndonjë rrezik. Ne e dinim në këtë fazë që ai ishte i rrezikshëm, i aftë për gjithçka” tha ai.
Sipas raportit, “oficerët e policisë dyshohet se kanë refuzuar të transportojnë burrin pilot të Caroline me helikopterin e policisë sepse ishin të shqetësuar se ai mund të përpiqej ta rrëzonte atë në një përpjekje për vetëvrasje” shkruan “The Sun”. Babis Anagnostopulos është pas hekurave, ndërsa prindërit kërkojnë dënimin e tij përjetë./m.j