4 korriku është Dita e Pavarësisë e SHBA. Gjithçka filloi 245 vjet më parë, pikërisht në vitin 1776, kur delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Nënshkrimi i Deklaratës sinjalizoi fillimin e një procesi të gjatë në rrugën e pavarësimit të mendjeve të çdo amerikani. I takoi Tomas Xhefersonit, së bashku burrat më të ndritur të kombit amerikan, të shpallnin formulën, që nuk u përdhos kurrë: “Ne besojmë se këto të drejta janë të natyrshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se krijuesi u ka dhënë atyre disa të drejta të patjetërsueshme, si jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë. Ne besojmë se për të siguruar këto të drejta njerëzit krijojnë qeveri, të cilat i marrin fuqitë e tyre me pëlqimin e të qeverisurve, se sa herë që një formë qeverisjeje i minon këto qëllime, është e drejta e popullit ta ndryshojë, apo ta heqë atë”. Cili komb? Cili popull nuk do të donte t’i kishte funksionale këto liri e të drejta, që për shtetasit amerikanë u sanksionuan pothuajse dy shekuj e gjysëm më parë?
Edhe sot Deklarata e Pavarësisë mbetet akti më të rëndësishëm në historinë e SHBA-së dhe më frymëzuesi për mbarë botën. Kjo pasi Ajo shenjtëroi barazinë mes njerëzve. Prej asaj dite askush mes tyre nuk do të ndihej i lindur për të sunduar ose për të qenë përfundimisht i sunduar nga të tjerë. Ishte Abraham Linkolni ai që do të shprehej se: “për herë të parë një komb themeloi ligjërisht vetveten, duke u mbështetur mbi atë çka ai kishte të përbashkët me të gjithë popujt e tjerë të të gjithë hapësirës gjeografike dhe të të gjithë periudhave të historisë, duke i dhënë në këtë mënyrë shpresë dhe frymëzim të gjithë botës”. Këto ishin thelbi i asaj që sot njihet si “The American Dream” (Ëndëra amerikane), “America, the Beautiful” (Amerika e bukur), “The land of opportunity” (Toka e mundësive). Njerëzit e tokës së re rivlerësuan dinjitetin njerëzor dhe demokracinë, por jo vetëm për Amerikën. Ata e paraqitën atë si vlerë universale për mbarë botën, duke rilindur madhështinë që vjen nga fuqia e shpirtit dhe jo nga forca ushtarake, vlera e politikave financiare apo qëndrueshmëria e dollarit mbi të cilin shkruhet “In God We Trust” (Besojmë në Zot).
Ashtu, me besim te liria e njeriut dhe te populli fillon edhe Kushtetuta Amerikane, që përmes fjalëve “We the people” (Ne populli) thekson rolin e shtetasit amerikan në qeverinë e vendit. Si të ishin përjetësim i shpirtit të Kushtetutës, poeti i madh amerikan Walt Whitman i dërgoi ato pranë përmes vargut poetik në zemër të çdo amerikani, kur shkruante: “dëgjonte Amerikën tek këndon, plot këngë të ndryshme, secili duke kënduar ashtu si ai duhet të jetë, …, secili këndon atë që i përket vetëm atij ose asaj dhe askujt tjetër”. Ndaj Amerika, si askund në botë, i ka kthyer në institucion vargjet profetike të poetëve, pasi fjala poetike frymëzon njëlloj si shkronja e shenjtë e Besimit, e Deklaratës dhe e Kushtetutës.
Por kjo festë e kombit amerikan na përket edhe ne, shqiptarëve, si ditë për reflektim. Do ishte formale ta shprehnim mirënjohjen pa vetëdije. Do ishte filistine, që të festonim vetëm për atë që SHBA ka bërë për mbrojtjen e zhvillimin e shtetit shqiptar, nëse nuk vlerësojmë çfarë Amerika përfaqëson si modelim dhe standard botëror. Përjetimi i Ditës e Pavarësisë së SHBA është po aq i përligjur si 28 Nëntori i Pavarësisë sonë, apo 12 qershori i çlirimit të Kosovës, të cilat zor se do të ishin në hartë pa principet e larta që burojnë nga Deklarata e vitit 1776, si jeta, liria dhe gjithë sa njerëzit kanë të përbashkët, pavarësisht gjeografisë.
Arsyet e këtij frymëzimi i dinte diaspora shqiptare në SHBA, që themeloi miqësinë dhe u organizua në federatën “Vatra”, në shoqëritë “Besa-Besë”, “Malli i Mëmëdheut” etj. Ishin figurat më të ndritura të kombit tonë, që në fillimet e shek.XX lindën frymën. Mes tyre Fan Noli, Faik Konica, Petro Nini Luarasi, Mehmet Konica, Mihal Gramenja, Kostë Çekrezi apo Parashqevi Qiriazi janë disa nga emrat që na bëjnë nder. Ishte Imzot Noli ai që lëshonte apelin poetik “Jepni për nënën”, ku çdo strofë mbyllej me fjalët e pavdekshme “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Ata dhanë çdo gjë për Shqipërinë, pa kërkuar asgjë. Ata nuk pyetën se çfarë do të bënte vendi i tyre për ta, por mendonin vetëm se çfarë mund të bënin ata për kombin, shumë kohë më parë se kjo frazë-moto të dilte nga goja e presidentit amerikan John Kennedy. Shumë prej tyre nuk mundën të shkelnin kurrë tokën e lirë të atdheut, madje edhe eshtrat e jo pak prej tyre nuk prehen as sot e kësaj dite në atdhe, gjë që na bërë më turp ne shqiptarëve të sotëm.
Për të theksuar modelin po përmend gjestin simbolik të “Himnit të alfabetit” (1909), shkruar nga Parashqevi Qiriazi. Aty bëhet thirrje për bashkimin e shqiptarëve jo vetëm me pushkë, por me penë në dorë rreth “shkronjave tona të arta”. Himni shqiptar përshtati si muzikë të tij, atë të këngës “Boola” të Kolegjit amerikan të Yale, që frymëzonte krenari, miqësi e besnikëri.
Por jo vetëm për çështjen e alfabetit Amerika frymëzonte. Shpresa për zgjidhjen e çështjes shqiptare shihej në krijimin e një komisioni amerikan të përcaktuar nga qeveria e SHBA-së, tek i cili besonte fort edhe Imzot Noli. Mospasja e interesave të Amerikës në rajon, për të ishte garancia më e mirë ndaj fuqive evropiane, të cilat duke mos kundërshtuar dot logjikën, do mënjanoheshin nga makinacionet politike qetësiprishëse për Ballkanin.
Është historike, po aq sa edhe simbolike ajo që ndodhi pikërisht më 4 korrik 1918, kur Noli takohet me Presidentin Wilson, i cili premtoi publikisht se: “…unë do kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris dhe atë zë do ta përdor në emër të shqiptarëve“. Ishin Çarls Erikson dhe Mehmet Konica, një vit më vonë, që përgatitën Memorandumin për Konferencën e Paqes, “Gjashtë arsye për të cilat Amerika duhet të bëhet mandator ndaj Shqipërisë”. Krye-arsyeja ishte se, Amerika hynte në luftë për synime morale. Ata besuan se Ajo e kish detyrë të pranonte thirrjen e shqiptarëve, që kërkonin ndihmë, njëlloj si kapiteni i anijes, që i përgjigjet sinjalit SOS për t`i ofruar ndihmë anijes që mbytet.
Kronologjia vijon me 7 marsin e vitit 1919, kur delegacioni shqiptar paraqiti kërkesën zyrtare për përcaktimin e SHBA si mandator të Shqipërisë, pasi vetëm Amerika dispononte autoritetin moral të nevojshëm për realizimin e një mandati mbi Shqipërinë. Në të njëjtën linjë ishin edhe kolonitë e emigrantëve shqiptarë në Amerikë, Rumani, Turqi, të cilat i dërguan presidentit Willson kërkesën të pranonte një mandat amerikan mbi Shqipërinë:“në mënyrë që ta udhëheq atë në rrugën e progresit dhe të qytetërimit, që ajo të bëhej faktor i rregullit dhe i paqes në Ballkan”.
Kujtojmë me nderim Presidentin Wilson, që me platformën e tij të 14 pikave, prishi planet ogurzeza për copëtimin e trojeve shqiptare, që buronin nga Traktati i Fshehtë i Londrës i vitit 1915. Ai jo vetëm që nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e copëtimit të Shqipërisë, por u bë përcaktues me dy notat e tij: “…më të ndritshmet e karrierës së tij, nota që ndaluan copëtimin e Shqipërisë“- thotë Noli.
Kur Presidenti Wilson mësoi se disa shtete, pa dijeninë e SHBA-së, kishin rënë fshehtas dakord, që ta ndanin e shqyenin Shqipërinë, deklaroi:“…unë kundërshtoj që t’ju jap edhe atë që ju është garantuar prej traktateve tuaja të fshehta. Unë refuzoj të pranoj se, qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk ka qenë palë në këtë traktat. Rrethanat e reja e kanë transformuar atë në një copë letër pa vlerë”. Për këtë deklaratë Federata “Vatra”, i dërgoi letër mirënjohje: “Zotëri, a do të na lejoje ne, përfaqësuesve të një kombi të vogël, që gjithmonë i ka vlerësuar nderin, drejtësinë dhe guximin si virtytet më të larta, që t’u shprehim Juve mirënjohjen më të thellë për ndjesitë tuaja fisnike, të cilave ju i keni dhënë shprehje të tilla kaq të fuqishme? Në to ne shohim shpalljen e lirisë …”. Në përgjigje të kësaj letre, Presidenti Willson shkruante: “Të dashur zotërinj,e kam vështirë që, në mes të një ditë kaq të ngarkuar me punë, t’ju tregoj si duhet se sa shumë jam gëzuar kur mora letrën tuaj dhe se sa thellësisht i interesuar jam unë të shoh parimet e paqes së vërtetë të zbatuara me besnikërinë më të madhe”.
Gjithashtu kujtojmë se ishin SHBA nga shtetet e para që njohu shtetin shqiptar më 28.08.1922 dhe po atë vit Shqipërisë na dha statusi i Kombit më të Favorizuar.
Po nuk mbyllet këtu. Në vitet e errët të diktaturës, kur regjimi komunist ndërpreu për 50 vite lidhjet me SHBA, në zemrat e shqiptarëve miqësia shqiptaro-amerikane farkëtohej. Modeli amerikan ishte aq i nëmur nga regjimi komunist, sa edhe vargjet e “mjeshtërit të fjalës poetike” Dom Ndre Mjeda, në poemën “Lirija” (ku i këndonte lirisë dhe heroizmave të djalërisë malësore, duke evokuar Amerikën dhe presidentin e parë të saj George Washington), u cunguan. Megjithatë “liria nuk u mërgua nga vendi”, pasi valët e Radio Zëri Amerikës, u bënë dritarja prej nga vështronim botën, shpresa për liri, barazi e drejtësi.
Në fillimet e përmbysjes së regjimit komunist, është unike pritja e vitit 1991 ndaj Sekretarit të Shtetit James A. Baker III, i cili iu drejtua popullit të entuziazmuar me fjalët: “Në emër të Presidentit Bush dhe popullit Amerikan, unë jam sot këtu për t’ju thënë: Liria funksionon. Më në fund, ju jeni të lirë të keni mendimet tuaja… Më në fund, ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj… Mirësevini në shoqërinë e burrave dhe grave të lirë kudo, ashtu siç Krijuesi ynë donte që ne të ishim. Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju”
Kanë kaluar 30 vite, nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike e SHBA-së me Shqipërinë (15 Mars 1991), kur në drejtimin e Ambasadës në Tiranë si i Ngarkuar me Punë ad interim u caktua diplomati brilant dhe miku i madh i shqiptarëve Christofor Hill. Nga ajo kohë e deri më sot, është domethënës fakti që, si rrallë për ndonjë vend tjetër, të gjithë presidentët e SHBA kanë lanë gjurmë të pashlyeshme në mbrojtjen e çështjes shqiptare.
I pari është padyshim është George Bush (i Vjetër), që me “Paralajmërimin e Krishtlindjeve” përcaktoi vijën e kuqe për ndërhyrjen serbe në Kosovë.
I paharrueshëm dhe historik ngelet Presidenti Bill Clinton, me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe paramilitare serbe në Kosovë, që ndaloi gjenocidin serb ndaj popullsisë civile. Ishte hera e parë në 50 vitet e ekzistencës të NATO, që sulmoi një shtet në Evropë edhe pa marrë miratimin e KS të OKB. Kujtojmë në atë kohë rolin e Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe stafit të saj, që u shpërngulën në Rambuje për të bindur të “pabindurit”, “trimat shqiptarë” të nënshkruanin “Marrëveshjen për paqe dhe vetëqeverisje të përkohshme në Kosovë”, e cila mundësoi bombardimin e ishJugosllavisë.
Vazhdojmë me Presidentin George W. Bush, kur deklaroi në mënyrë profetike nga Tirana se Kosova do të shpallet shumë shpejt shtet i pavarur. Kjo u bë e vërtetë shumë shpejt, më 17 shkurt 2008. “Vota ime është për Kosovën”, tha ai, si dikur Presidenti Wilson për Shqipërinë.
Pas tyre ishte Presidenti Barack Obama, që firmosi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO; kurse Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, në nëntor 2012, deklaroi nga Tirana se: “Jam sot këtu, në këtë çast historik në historinë tuaj, me një mesazh për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojmë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, dhe për 100 të tjera pas tyre, dhe ato 100 pas këtyre”.
Sot SHBA, janë kumbarët e reformës në drejtësi, duke i detyruar (me hir e pahir) 140 anëtarët e Parlamentit tonë ta votonin atë. Sinqeriteti dhe dashamirësia e amerikanëve gjatë përgatitjes dhe zbatimit të kësaj reforme u shoqërua si gjithmonë me sherrnajë e kulisa nga politika shqiptare. Kjo situatë më risolli në kujtesë një mik tjetër të madh të Shqipërisë, Kancelarin Vranicki, i cili erdhi në Shqipëri në vitin e trishtë 1997, për ta shpëtuar vendin tonë nga rruga pa krye. Ai takonte palë të ndryshme të politikës shqiptare për daljen nga situata e vështirë. Palët që takonte, i dukeshin si engjëj, ndërsa pala tjetër i dukej si djall; pasi njëra baltoste tjetrën, ndërsa tjetra përbetohej se ata ishin përfaqësuesit e vërtetë të qytetarit shqiptar. Në një situatë të tillë, kancelari Vranicki, duke e pasur të vështirë të kuptonte politikanët shqiptarë, lëshoj shprehjen e famshme: “Nuk po e kuptoj a janë engjëj apo djaj!”.
Reforma në drejtësi (megjithëse “është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte”), mbetet jetësore për shtetin e së drejtës tek ne. Pa SHBA, ajo do të ishte një iluzion, siç kanë qenë për shumë vite me radhe, kur pushtetarët e të gjitha krahëve bënin sikur ndërmarrin reforma, por rezultati asgjë, prashitje në uji. Pushtetarët tanë nuk ishin të zotë as të krijonin të paktën një administratë të denjë publike, të bënin një reformë territoriale apo një palë zgjedhje të pakontestuara. Pra, SHBA po bëjnë atë, që ne nuk ishim të zot ta bënim.
Për ndokënd që ka rezerva, paragjykime dhe ankesa për këtë reformë (pse ky dhe jo ai, pse kështu dhe jo ashtu, është me këtë-kundër atij); i kujtoj se SHBA nuk është gjykatë, prokurori apo polici shqiptare, që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Nuk ka mendje humane, sado të lartë ta ketë IQ, që të parashikojë hilet dhe pabesitë e politikës shqiptare. Të mos harrojmë se, për ironi edhe zgjedhja e organeve drejtuese të drejtësisë së re u bë me gogla (“bingo”), pra me një nga format e kumarit; apo integriteti i dyshimtë i disa prej antarëve të këtyre organeve. Gjithashtu unë akoma ndjej erën e barutit të sallës së parlamentit, gjatë procesit (luftës) të zgjedhjes së Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme me 69 vota.
Është momenti të sjell në kujtesën e gjithë kritizerëve, se SHBA asnjëherë nuk ka heshtur; përkundrazi, kur ne heshtnim në bashkëfajësi, SHBA kanë analizuar dhe publikuar çdo vit raportet e DASH për çështje të veçanta, si për: të Drejtat e Njeriut, Trafikimin e Personave, Lirinë e Fesë, Trafikimin e Drogës, Terrorizmin, etj. Në këto raporte i është bëre skaner situatës në Shqipëri. Por politikanët dhe shtetarët shqiptarë, bënin sikur nuk dëgjonin dhe kuptonin këto paralajmërime. Ata ishin të “mbingarkuar” me vjedhjen dhe grabitjen e pasurive kombëtare: tokave, pyjeve, lumenjve, minierave, ndërmarrjeve, madje edhe armëve e pajisjeve luftarake të trashëguara nga regjimi komunist. Ata i mbushën mendjen vetes se ishin të përjetshëm (siç thotë miku im, analisti Skënder Minxhozi, qenien e tyre në politikë e konsideruan si “një licencë e përjetshme gjuetie”).
Vazhdojmë me të tashmen, më 8 qershor të këtij viti, është Presidenti Joe Biden, me Urdhrin Ekzekutiv, që firmosi. Ky urdhër zgjeron juridiksionin territorial të regjimit sanksioneve (duke përfshirë edhe Shqipërinë) dhe juridiksionin lëndor (duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar). Ky reagim i SHBA ishte i pritshëm, madje pak i vonuar. Ne shqiptarët treguam se nuk jemi të zotë t’i heqim çibanët as me vota dhe as me e gjykata. Por çdo gjë e ka një kufi…, zullumi këputet aty ku trashet.
Në përfundim dua të shpreh mirënjohjen për faktuesit e kësaj miqësie, ambasadorëve që kanë shërbyer në Tiranë e Washington, si: Makswell Black (i dërguar i jashtëzakonshëm 1922), Ulysses Grant-Smith (1922); Charles C.Hart (1925); Herman Bernstein 1930); Post Wheeler (1933); Hugh Gladney Grant (1935); Kostandin Cekrezi (1921), Koço Tashko (konsull 1922), Faik Konica (1926), si dhe shumë të tjerëve që kanë shërbyer në këto 30 vitet e fundit.
Miqtë e mi, sot unë jam më optimist se kurrë, pasi shek.XXI është i shqiptarëve. Pa Amerikën në fillimet e shek.XX ishim një çerek shteti, me probabilitet të madh për t’u zhdukur nga harta e botës. Sot, me Amerikën, kemi 2 shtete shqiptare dhe një popullsi të konsiderueshme shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pa të cilët ajo nuk mund të ekzistojë. Është koha që ne shqiptarët e sotëm, kudo që jemi të shfrytëzojmë rrethanat, që nuk i kemi pasur kurrë. Sot Shqipëria jo vetëm është anëtare e NATO, por ndodhet në vijën e parë të frontit midis të Mirës dhe të Keqes.
Nisur nga sa sipër politikanët tanë (pozitë-opozitë) duhet të kenë mend për të kuptuar, vesh për të dëgjuar, guxim për të vepruar dhe zemër për t’u dakortësuar mes vedi. Shqiptarët janë lodhur me politikat armiqësore, ndaj duhet bashkëpunim për të bërë Shqipërinë. Hapin e parë padyshim që duhet ta ndërmarrë pozita. Të mos guxojnë të pengojnë zhvillimin e proceseve demokratike, pasi në të kundërt “Anibal ante portas”.
Edhe një herë Gëzuar Amerikë! Faleminderit dhe mirënjohje për çfarë ke bërë dhe po bën për Shqipërinë! Zoti të bekoftë, ruajtë dhe zhvilloftë. Amen!