Në një prononcim për gazetën “Mapo”, ish-kryeprokurori i Apelit në Tiranë tregon rrugën që do të ndjekë pas transferimit të tij në Shkodër, që erdhi me propozim të kryeprokurorit Llalla dhe dekret të presidentit Nishani. Mendimet e tij për reformën dhe propozimi për juri në gjyqësor. Hajdari: “Vendimi i transferimit, i kundraligjshëm dhe i paracaktuar, do i drejtohem Gjykatës Administrative”.
Reforma për drejtësinë është në prag. Nuk dihet nëse po ndiejnë ndopak frikë të korruptuarit gjyqtarë, prokurorë, avokatë e oficerë të policisë gjyqësore. Për ta mund të ketë një shpresë, që morëm sa morën në “parajsën” e krijuar, ku vunë aq pasuri sa për t’ua lënë trashëgim edhe stërnipërve dhe tani është koha të ndalin, por gjithnjë duke e kthyer kokën pas, se një ditë çekani i drejtësisë mund të bjerë edhe për ta. Gjatë ka shkuar, por koha është tani, që reforma të mos mbetet më vetëm perceptim, seminare pa fund, apo diskutime tejet boshe të politikës. Më të zjarrtët, shumë aktivë për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, janë ambasadorët e huaj, veçanërisht ai amerikan, Donald Lu, që me një shqipe të ngadaltë por fort të pastër, ka artikuluar qartë se të korruptuarit duhen futur në burg. Por ambasadorët sa kanë komentuar pjesën politike të një reforme, pasi janë të tjerë që dhanë propozime në detaje për të transformuar përfundimisht sistemin e drejtësisë, veçanërisht gjyqësorin dhe prokurorinë. Një prej tyre është prokurori Shkëlqim Hajdari. Në karrierë eci ngadalë, por gjithnjë në ngjitje, deri dy vite më parë, pasi një “shtysë” nga lart e riktheu më poshtë në funksion, por jo aq në idetë apo idealet e tij. Tashmë ai do të jetë një prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Rrethit Shkodër, pas propozimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe dekretimit të Presidentit të vendit, Bujar Nishani, për një lëvizje të tillë. Ishte një “mllef” i vjetër apo një lëvizje e pambështetur ligjërisht, këtë dilemë është koha para që do e provojë, por më në retrospektivë, prokurori Shkëlqim Hajdari dhe kryeprokurori Adriatik Llalla kanë pasur konflikte të forta. Kujtohet ajo e një viti më parë, kur u raportua se kreu i institucionit qendror të akuzës nuk kurseu as sulmin fizik. Por më shumë se një “zënkë kolegësh”, çështja mes tyre lidhej me reformën në drejtësi dhe disa ndryshime në ligjin për funksionimin e prokurorisë. Është nga të paktët drejtues të lartë të sistemit të drejtësisë që ka artikuluar prerë se prokurorët duhet t’iu vënë prangat kolegëve të korruptuar. Në tryezën e 3 dhjetorit, ku ishin të pranishëm ambasadorë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, teksa diskutohej për reformën në drejtësi, Hajdari ishte i pranishëm, i ftuar prej tyre. Më vonë do të vinte lëvizja me urdhër nga lart dhe në një kohë rekord, edhe kreu i shtetit dha miratimin e tij. Ish-kryeprokurori i Apelit në Tiranë, njëherësh tre vjet më parë edhe kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, ka vendosur të ndjekë një tjetër rrugë për atë që e quan një transferim të kundraligjshëm. Në një prononcim ekskluziv për gazetën “Mapo”, Hajdari komenton lëvizjet e tij, problematikën e sistemit të drejtësisë dhe reformën që pritet të miratohet.
Reforma në drejtësi është epiqendra e diskutimeve në muajt e fundit, ku janë përfshirë edhe aktorët kryesorë të diplomacisë së huaj. Ju, çfarë mendimi keni për këtë nismë?
Për reformën në drejtësi, jam shpresëplotë që do krijojë një faqe të re në historinë e drejtësisë në vendin tonë. Veç vlerësimesh edhe unë kam vërejtjen që gjykatat e shkallëve të para duhet të gjykojnë me juri. Kam qenë i këtij mendimi, janë edhe të tjerë që më mbështesin në këtë ide. Jam i bindur që gjykimi me juri do rrisë pjesëmarrjen e publikut në dhënien e drejtësisë dhe të minimizojë në maksimum aktet korruptive që ndodhin sot në sistemin e drejtësisë.
Ditët e fundit, Prokurori i Përgjithshëm propozoi transferimin tuaj si prokuror nga Prokuroria e Apelit në Tiranë, si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Shkodër. Si e konsideroni këtë lëvizje?
Këtë transferim e konsideroj të pambështetur në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Shqipërisë. Ky vendim është marrë në shkelje të ligjit, pasi si unë edhe persona të tjerë prokurorë që janë transferuar këtë radhë, si edhe i herëve të tjera më përpara, nga një rreth në tjetër apo brenda një rrethi por në shkallë më të ulët, është në kundërshtim me ligjin. Këtë e argumentoj, pasi ligji garanton se nuk mund të bëhet asnjë transferim pa pëlqimin e prokurorit që do të transferohet. Kjo e drejtë është fituar me ndryshimet që pësoi ky ligj në 2009. Ashtu si edhe prokurorët e tjerë që janë transferuar në mënyrë të paligjshme, unë do paraqitem në prokurorinë ku jam caktuar dhe njëkohësisht do i drejtohem Gjykatës Administrative për ta goditur këtë dekret si antiligjor. Gjithsesi, një pjesë e prokurorëve i kanë fituar gjyqet.
Për rastin tënd ka dy shkarkime dhe transferime brenda vitit. Fillimisht u shkarkuat nga funksioni i kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit Tiranë dhe më pas kaluat në prokuror të thjeshtë po në këtë institucion. Ndërkohë, pak ditë më parë erdhi një tjetër lëvizje për ju, kur u transferuat në Prokurorinë e Rrethit Shkodër. Përse mendoni se kanë ndodhur këto lëvizje?
Rasti im është specifik, në njëfarë mënyre është hakmarrje personale, në shkelje të ligjit nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, Adriatik Llalla. Kisha besim se Presidenti i Republikës duke zbatuar ligjin, do e ndalonte këtë hakmarrje primitive, por nuk ndodhi kështu. Unë mbetem prokuror i republikës, i betuar mbi Kushtetutë dhe jam mësuar të goditem në mënyrë të paligjshme, por që t’i zgjidh gjërat në mënyrë të ligjshme.
Në raste transferimesh apo emërimesh të prokurorëve duhet edhe miratimi nga ana e Presidentit të Republikës, që në këtë rast e aprovoi brenda 24 orëve propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përse mendoni se ka ndodhur kjo?
Presidenti i Republikës, në bazë të ligjit ka 30 ditë kohë që të dekretojë ose të mos dekretojë një propozim të Prokurorit të Përgjithshëm. Ky reagim brenda 24 orëve nga ana e Presidentit me dekret, më bën të dyshoj se vendimmarrja ka qenë e paracaktuar mes dy institucioneve, ndoshta me përfshirjen edhe të segmenteve të caktuara politike që nuk dëshirojnë kryerjen e reformës sa më shpejt në drejtësi.
Karriera e Shkëlqim Hajdarit
1993, shef i policisë hetimore, Komisariati nr. 4 Tiranë
1995, oficer policie gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës
2002, prokuror në Tiranë, i emëruar nga presidenti Moisiu
2008 -2014, drejtues i Prokurorisë së Apelit
Çështjet kryesore të hetuara:
1994, çështja e Remzi Hoxhës
1995, vrasja e ish-ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi
1998-2000, pjesëtar i grupit të hetimit të çështjes “Hajdari”
2013, mbron në Gjykatën e Apelit “Gërdecin” dhe “21 janarin”