Nga Fatmir Merkoçi
Është folur për Reformë dhe për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Skepticizmi nuk ka munguar, pasi pritej gjithmonë një gjykim nga kjo gjykatë për të parë dhe aftësinë e saj, si dhe atë më të domosdoshmen, pavarësinë.
Por me sa duket, u desh presioni ndërkombëtar, që anëtarët e saj, të marrin një vendim ku, në opinionin e çdo qytetari ishte anti-kombëtar. Pavarësisht nga të gjitha, Gjykata Kushtetuese duhej ta merrte një vendim, pasi shumë shpejt, asaj i duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Meta.
Ora me sa duket për Teatrin dhe pronën publike, për t’u gjykuar erdhi. Gjykata Kushtetuese në seancën e datës 16.06.2021 përfundoi kërkesën e Presidentit për Ligjin nr. 37/2018, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Në këtë kërkesë, Presidenti i Republikës kërkonte edhe shfuqizimin e VKM-së me nr. 377, datë 08.05.2020 “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë; si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë.
Ky ligj pati pasoja të rënda, si në rrafshin politik, ekonomik dhe kulturor. Ndaj dhe u kundërshtua me forcë nga shumë aktorë të ndryshëm, qofshin institucionalë apo individë të ndryshëm. Maxhoranca e kishte paracaktuar fituesin ndaj dhe u quajt si “ Ligji Fusha”. Ky paracaktim tregohej dhe me faktin se: Firma ishte paracaktuar dhe madje katër orë para miratimit të ligjit, regjistrohet në QKB, pra konçesioni ishte i dhënë para miratimit të Ligjit. Ndaj dhe u regjistrua si koncesion i PPP-së ose si “Teatri Kulla” Ky ligj cenonte jo vetëm teatrin por dhe truallin publik, gjë që cenonte edhe më rëndë të drejtën e pronës. Pra guxohej që prona publike ti falej firmës konçesionare.
Në kohën e miratimit të ligjit, Presidenti e riktheu për shqyrtim. Duke bërë dhe argumentet e mos dekretimit, i vetmi “konflikt” për këtë ishte mos dekretimi. Unë publikisht i kërkova Presidentit që në kokën e shkresës së mos dekretimit, të kishte fjalinë ( ky ligj është anti-kushtetues). Arsyeja ishte e thjeshtë: Çdo arsyetim tjetër, do sillte pasojat që solli realisht. Ndërsa një ligj i kthyer si anti-kushtetues do e detyronte Kuvendin të ribënte një ligj të ri.
Pavarësisht nga gjithçka apo konfliktet e hapura mes Qeveris dhe Presidentit, ky i fundi e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila:
Në përfundim të shqyrtimit,
VENDOSI:
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës;
2. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
3. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
4. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
5. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Por në këtë vendim, bie në sy Pika 4 ku, rrëzohet kërkesa për prishjen e objektit nga ana e Bashkisë Tiranë. Këtë rrëzim kërkese Gjykata Kushtetuese e bën me një arsyetim “foshnjarak”, ku thotë se:- Për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.
Me këtë shqyrtim, Gjykata Kushtetuese i del në mbrojtje Kryetarit të Bashkisë si dhe veprimeve anti-ligjore për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Kështu kërkohet që të legjitimohen veprimet e paligjshme. Mjafton të shihet vetëm veprimi i prishjes dhe ora në të cilën ju vërsulën Teatrit dhe rrezikut që përbënte pjesëmarrja e qytetarëve brenda asaj godine. Apo prishja pa inventar dhe pa nxjerrë jashtë objektit të rekuizitës disa milionëshe në vlerë monetare, e më shumë akoma në vlerat e tyre historike, etnografike dhe të domosdoshme për vetë funksionin e skenës e të aktorve. Por, me sa duket, trysnia për ta mbyllur këtë çështje ka qenë më e madhe se vetë ligji. Nuk mundet të jetë e mundur që në një vendim ku, shpallet anti-kushtetues si ligji dhe VKM nuk ka kuorum për të shqyrtuar VKB e Bashkisë Tiranë !?
Gjithsesi ky vendim, i hap rrugën e lirë SPAK për të kryer hetime të thelluara. Hetim që do nxjerri në pah, jo vetëm korrupsionin aktiv e pasiv, por dhe pastrimin e parave që është bërë me miratimin e ligjeve e VKM-ve të këtij lloji. Ky është hap i parë që Gjykata Kushtetuese i vjen në ndihmë (dhe pse jo plotësisht) drejtësisë së paanëshme. Në vendimet e mëtejshme, do gjykohet më drejtë për pavarsinë e kësaj gjykate. Guri i provës ende nuk ka ardhur. Të gjithë presim drejtësi të plotë e jo të cunguar.