Heqja e kufizimeve në bllok nga Bashkimi Europian për Shqipërinë dhe lehtësimet individuale të deklaruara të shteteve të ndryshme brenda këtij komuniteti, është një ogur i mirë për sezonin turistik shqiptar. Grupet që më herët nisën të vizitonin vendin tonë, si ukrainasit (që e nisën sezonin më 25 prill) dhe bjellorusët pak më vonë, u pasuan edhe me turistë të tjerë, si polakët dhe çekët.
Gjithçka duket se po rikthehet drejt normalitetit. Shqipëria është deklaruar si një vend COVID-free (pa kufizime dhe rrezik për virusin) duke bërë një ftesë mirëseardhjeje për këdo që do të jetë i gatshëm ta vizitojë por ka një grup skeptikësh që nuk po ndez dritën e gjelbër.
Pjesa më e madhe e turistëve po rikthehen, por tur-operatorët konfirmojë se nordikët nuk kanë dhënë siguri për të vizituar Shqipërinë këtë verë. Por çfarë po ndodh me turizmin kur panorama është qartësuar në pjesën më të madhe të saj?
Polakët dhe çekët, rezervimet më shumë se pritshmëria
Turizmi i organizuar ka krijuar traditë prej disa vitesh në bregdetin shqiptar. Të parët që nisën këtë ishin çekët dhe polakët e më pas u përqafua nga nordikët. Këta të fundit, për thuajse tre sezone verore zunë një peshë të rëndësishme në zonën e Golemit, pasi ishin grupi i turistit që shpenzonte më shumë, ndërsa dy grupet e tjera parapëlqenin paketat “all inclusive” (të gjitha të përfshira) dhe po e zgjidhnin Shqipërinë pasi ishte ekonomike. Në vitin 2019, kur paketat u shtrenjtuan, numri i polakëve u pakësua. Për vitin 2021, operatorët turistikë shprehen se rezervimet janë më mirë sesa pritshmëritë.
“Janë mbi 20 chartera në javë me polakë që vijnë për t’u akomoduar në vendin tonë dhe kryesisht në Durrës. Paketat janë përgjithësisht 7-ditore ose 10-ditore. Sigurisht, shifrat nuk janë njësoj si në vitet normale, fjala bie në 2019, apo më herët por janë shumë më mirë se pritshmëritë që kishim. Polakët nisën të vinin këtë vit që nga 17 maji dhe që nga ai moment, çdo gjë ka shkuar mirë.
Vitin e shkuar, pavarësisht situatës së vështirë të pandemisë, ata erdhën me disa chartera por jo në ndonjë numër domethënës, por e mbajtën Shqipërinë në hartë dhe kjo për ne është e rëndësishme. Edhe këtë vit, numri i ulët i infektimeve, si dhe lehtësimi i masave nga ana e BE-së, kanë dhënë ndikim në rritjen e rezervimeve” – pohon Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar. Sipas tij, edhe Çekia ka nisur të kthehet në normalitet. Të gjitha këto kanë bërë që të hyjnë në fuqi garancitë dhe jo “allotment” (paguaj sa shfrytëzon) sikurse ishte më parë.
“Tani kemi kaluar në pjesën e garancive. Një shumë e tyre është paguar që nga viti 2019, ndërsa pjesa tjetër zëvendësohet tani. U bënë disa javë që kanë ikur disa grupe dhe kanë ardhur të tjerë dhe përshtypjet janë shumë të mira. Bëhet fjalë për atë çka turistët gjejnë brenda hotelit apo resortit se për mjediset përreth ka ankesa sa u takon mbeturinave, inerteve e situatës për të cilën ne shprehim shqetësimet tona prej vitesh.
Nordikët mbeten në pikëpyetje, nuk duan të rrezikojnë në kohë pandemie
Nordikët duket se nuk do të rikthehen në Shqipëri as këtë sezon. Tur-operatorët vendas konfirmojnë se nga komunikimi me agjencitë partnere në këto vende nuk kanë marrë asnjë shenjë për të rifilluar fluturimet me charter.
“Ne kemi çdo ditë komunikim me bashkëpunëtorët tanë në vendet nordike, por ashtu si vitin e kaluar, edhe këtë vit, nuk na kanë dhënë shpresë për rikthim në bregdetin shqiptar. Nuk është çështje mungese dëshire nga ana e agjencive, më shumë sesa mungesë interesi nga popullata, e cila është shumë e ndjeshme ndaj çështjeve të shëndetit. Janë njerëz që preferojnë të parandalojnë dhe t’i binden thirrjes së autoriteteve publike të tyre, edhe kur rreziku është i vogël.
Janë rigorozë në respektimin e rregullave dhe kur dëgjojnë këshilla për të mos shkuar se ka ende rrezik për jetën, binden. Për ta udhëtimi është edhe stil jetese, bëjnë disa herë në vit pushime prej standardit të lartë, ndaj uria për udhëtimet nuk kalon mbi përgjegjshmërinë për jetën” shprehet z. Kasa.
Kosova mbetet shtylla e turizmit në vend, rritet prania e turistëve të Maqedonisë së Veriut
Kosova thuajse ka dyfishuar hyrjet drejt Shqipërisë në muajin maj, sipas shifrave zyrtare të lëvizjes së shtetasve dhe këtë mund ta konstatosh lehtë edhe me një vizitë në bregdet. Ata janë përqendruar kryesisht në Durrës dhe Shëngjin, por nuk kanë munguar edhe udhëtimet drejt Sarandës, sipas operatorëve turistikë.
Ashtu sikurse pritej, turizmi mbarëshqiptar duhet se do të jetë baza e turizmit edhe për këtë vit, pavarësisht lehtësimit të masave kufizuese edhe nga Bashkimi Europian. Shtetasit nga Kosova përbënin 44% të totalit në maj 2021 nga 19.6% në maj të 2019-s.
Numri i turistëve të Kosovës kanë rritur dukshëm edhe në pjesën e Jugut. Tur-operatorët konfirmojnë se gjatë vitit të pandemisë, rritja ishte edhe më e madhe, ndërkohë që edhe për verën 2021, shenjat po duken të mira.
“Është rritur numri i shqiptarëve të Kosovës në fundjavë dhe prania e klientëve cilësorë (që shpenzojnë). Numri i turistëve të Maqedonisë së Veriut është më i ulët. Ata nuk janë shumë të dukshëm, pasi nuk shpenzojnë. Ardhja e tyre drejt Shqipërisë ka qenë më shumë si efekt i mbylljes së kufirit me Greqinë” shprehet z.Çipa.
Edhe Rrahman Kasa nga Unioni Turistik Shqiptar thekson se këto dy grupe janë pjesa më e madhe e tortës së përgjithshme të turistëve dhe po vazhdojnë me ritme të mira edhe këtë vit.
Gjermanët dhe zviceranët, në numra të kufizuar individualisht, pa organizim
Në vitin 2019, tur-operatorët vendas ishin në negociata me “Der Turistik” për të sjellë një numër më të madh gjermanësh në turizmin e organizuar. Kjo nisi gradualisht të funksiononte por me disa grupe që vinin për turizëm kulturor, por edhe të kombinuar me det.
Fillimi i pandemisë ndaloi plotësisht turizmin e gjermanëve, të cilët po ktheheshin në një grup të rëndësishëm. Por këtë vit, edhe pse nuk ka një turizëm të organizuar me chartera për shkak të COVID-19 tur-operatorët vendas raportojnë se ka një numër të kufizuar turistësh gjermanë që po vijnë individualisht drejt Shqipërisë.
Linjat ajrore me disa qytete në Gjermani, që kanë destinacion Shqipërinë, si dhe heqja e kufizimeve parashikohet që të sjellin një numër më të lartë në vazhdim. Nga ana tjetër, edhe zviceranët janë rikthyer dhe po vijnë në numër të ulët drejt Shqipërisë. Zvicra përgjithësisht nuk ka funksionuar si treg i konsoliduar i organizuar. Ata kanë qenë të pranishëm me disa ture kulturore, por pandemia e veniti tërësisht këtë tendencë globalisht, vetëm për Shqipërinë. Grupi i gjermanëve dhe francezëve kanë qenë veçanërisht të interesuar për këtë aspekt.
Vijnë për herë të parë të organizuar me agjenci rusët dhe serbët, kthehen izraelitët
Për herë të parë, tregu rus i turizmit ka hyrë në Shqipëri përmes charterave të organizuar. Është vendosur që gjatë verës rusët të vijnë çdo javë me një avion. Potenciali ishte për më shumë, sipas tur-operatorëve vendas, por në mes janë çështje më të ndërlikuara që lidhen me gjeopolitikën.
“Tregu rus është interesant dhe ka filluar vetëm me një avion në javë. Ai është një treg që i ka mundësitë për më shumë, por këtë nuk e lejon politika. Kërkesa për Shqipërinë sigurisht që është më e lartë se për një charter në javë, por në këtë aspekt duhet të lobojë qeveria dhe të tejkalohen çështjet gjeopolitike” – nënvizon Rrahman Kasa. Të njëjtën tendencë konfirmon edhe Arben Çipa, nga Shoqata e Hotelierëve në Sarandë.
“Tregu rus është i ri dhe ka nisur të hyjë në Durrës e Sarandë. Kjo është një shenjë e mirë për këto ditë që po jetojmë dhe për një nga tregjet me potencial të lartë ekonomik. Në numër është i kufizuar, por fakti që është i pranishëm nuk sjell asnjë humbje për turizmin në vend, përkundrazi” – shprehet Çipa.
Nga ana tjetër, edhe tregu serb ka shfaqur interes. Ardhja individuale në një numër jo të vogël vitin e shkuar dhe krijimi i përshtypjeve pozitive, ka bërë që këtë vit serbët të organizohen me autobusë.
“Tregu serb ka nisur në nivel operatorësh dhe në korrik, gusht, shtator do të jetë në Sarandë me grupe. Vijnë me autobusë dhe kalojnë 9 net. Janë rreth shtatë kompani serbe që kanë nisur këtë sipërmarrje. Le të themi që me afërsi presim diku tek 500 turistë në javë në nivel operatorësh drejt Sarandës” – thekson ai.
Ajo që vihet re edhe nga fluturimet e publikuara çdo ditë në faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës është edhe rikthimi i izraelitëve që po vijnë me chartera.
Hapja e Korfuzit mban “peng” turizmin e charterave në Sarandë
Saranda, prej shumë vitesh, ishte kthyer gjithashtu në mikpritëse e turizmit të organizuar të çekëve, polakëve dhe nordikëve. Korfuzi i shtetit fqinj përdorej si një korridor për uljen e charterave, duke e bërë më të lehtë mbërritjen në Sarandë. Mbajtja mbyllur e kufijve nga Greqia e ka bërë të pamundur përdorimin e aeroportit nga tur-operatorët.
“Nëse Korfuzi do të ishte i hapur, ardhjet me chartera do të kishin nisur. Gjithsesi besoj se nga korriku do të rifillojë edhe kjo, pasi priten lehtësime. Janë bërë shumë rezervime online në mënyrë të pavarur për zonën e Sarandës, por operatorët nuk kanë qenë shumë të gatshëm për turizëm të organizuar, sepse nëse do të operonin përmes Tiranës, rruga është shumë e gjatë dhe e lodhshme. I llogarisin si dy ditë pushimesh të humbura nëpër rrugë” – nënvizon z. Çipa.
Lidhur me preferencën e turistëve për zonën e Sarandës, ai pohon se shumica zgjedhin të marrin paketën Bed & Breakfast (fjetje dhe mëngjes), por një pjesë e mirë e hoteleve, sidomos ata të vijës së parë, me kapacitet dhe përvojë, mund të përshtaten sipas kërkesës. Kanë edhe Half Board (fjetje dhe dy vakte) por edhe “a la carte” që është niveli më superior. Operatorët e turizmit të organizuar mbeten kryesisht te fjetje dhe dy vakte ose fjetje dhe të gjithë vaktet.
Çmimet mbeten të njëjtat, më shumë oferta, por vështirësi për të gjetur staf
Kriza që shkaktoi pandemia thuajse në gjithë ekonominë globale ndikoi në shumicën e sektorëve, duke i shtyrë të gjejnë mënyra alternative mbijetese. Në shumicën e tyre u aplikuan ofertat, si një tendencë që rridhte nga logjika se në kohë pandemie, shpenzimet duhet të reduktoheshin për të ruajtur sigurinë financiare. Hotelet në ato vende ku u mbajtën hapur, në disa raste shitën në kosto vetëm për të mbajtur biznesin hapur.
E njëjta u përsërit edhe në Shqipëri. Në zonën e Durrësit, disa nga operatorët më të mëdhenj tentuan të qëndronin hapur jashtë sezonit veror, vetëm për të mos larguar stafin nga puna. Jo në të gjithë rastet ia dolën dhe shkurtimi ishte i pashmangshëm. Tashmë që sezoni i verës është rikthyer me normalitetin e tij duket se hotelet po përballen me sfidën e punonjësve të kualifikuar, të cilët janë në mungesë.
“Sfida që po has hoteleria dhe turizmi në përgjithësi qëndron te mungesa e stafit. Një pjesë e tij, që u shkurtua në kohën e krizës më të madhe që përjetoi sektori nuk është më i disponueshëm. Ata, ose janë stabilizuar në një punë të re dhe nuk duan të lëvizin sërish, ose janë larguar jashtë Shqipërisë. Ky ishte një staf i kualifikuar dhe trajnuar që me dhimbje është shkurtuar nga operatorët vetëm kur ka qenë thuajse e pamundur për t’i mbajtur” – shprehet Rrahman Kasa.
Ai pohon se shumica e hoteleve kanë bërë paketa dhe oferta thuajse gjatë gjithë vitit, për të siguruar vazhdimësi dhe çmimet kanë qenë të leverdishme. Sa u takon çmimeve aktuale që lidhen me kontratat e turizmit të organizuar, ai shprehet se kanë mbajtur të njëjtin nivel të rënë dakord që në vitin 2019.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe z.Çipa nga Saranda, lidhur me çmimet që, sipas tij, ndryshimet kanë qenë të vogla. Ato mbeten ekonomike si një formë për të tërhequr më shumë turistë. Në Sarandë, okupanca (dhomat e rezervuara) me përafërsi mund të shkojnë tek 70-80%, por kjo mbetet një shifër jo e konfirmuar.
Rinisin turet nga Kruja e Berati tek Ohri, të huajt i magjeps Komani
Polakët dhe çekët e rikthyer këtë sezon nuk kanë lënë pas as argëtimin jashtë hotelit. Tur-operatorët raportojnë se është rritur interesi për ekskursione që nisin nga ato afër në rrethinat e Durrësit për të vazhduar në Tiranë, Krujë, Vlorë, Berat. Një destinacion shumë interesat që pëlqehet jashtëzakonisht shumë është edhe Komani.
“Komani i befason shumë të huajt që e zgjedhin si paketë. Rruga vazhdon të jetë ende problematike dhe ka nevojë të vihet dorë. E gjithë lodhja që turistët kalojnë gjatë rrugës harrohet sapo shohin zonën që e cilësojnë si një Tajlandë tjetër” – thotë z.Kasa.
Lidhur me paketat e tjera të preferuara, ai pohon se Ohri vazhdon të mbetet shumë i pëlqyer, pasi është edhe një nga turet më të organizuar që ofrohen. Guida në qytet nga fillimi në fund zgjat rreth katër orë dhe turistët kanë shumë mundësi të çlodhen dhe të shijojnë gjithçka që duan.
Në bregdetin shqiptar, një tjetër tendencë që po merr jetë është industria detare në funksion të turizmit. Arben Çipa pohon se në Sarandë po bëhen investime serioze në këtë drejtim dhe turistët kanë filluar ta pëlqejnë gjithmonë e më shumë.
Kaosi për ndarjen e plazheve, Topuzi: Përgjegjës shteti, të ishte bërë më herët
Numri i turistëve të huaj, gjithmonë në rritje, këtë vit pavarësisht situatës së pandemisë dha sinjale pozitive të ecurisë së sektorit por shkëlqimi i kësaj ringitjeje u zbeh nga një seri ngjarjesh që në një rast siç ishte në Velipojë përfundoi në humbjen e katër jetëve. Zanafilla e konfliktit mes dy familjeve që kishin secila në zotërim nga një hotel ishte fakti se nuk binin dakord për pjesën e ndarjes se plazhit.
Njëra prej tyre e kishte në menaxhim prej disa vitesh dhe pavarësisht se kishte aplikuar në e-albania ende nuk kishte marrë konfirmim për zonën e re, tjetrës i ishte miratuar zona e vjetër e familjes së parë. Ky ishte rasti më tragjik por konfliktet për zonën e plazhit përgjatë këtij viti kanë qenë jo të pakta dhe shkak për të gjithë hotelierët është bërë ndarja e vonuar e aplikuar nga ministria dhe bashkitë. Zak Topuzi nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit shprehet se ngjarje si ajo e Velipojës nuk pritet të kenë efekt në afatgjatë në turizëm por ato mund të ishin shmangur nëse shteti do të ishte treguar më i korrekt në zbatimin e afateve.
“Sigurisht situata është e rëndë dhe duhej shmangur por mendoj se po të zbatohej ligji në kohë nga Ministria dhe bashkitë përkatëse, dhe ky ligj nuk do ndryshohej çdo vit pasojat do të ishin shmangur. Prej dy vitesh , shteti ka ndërhyrë me ligj për të menaxhuar bregun duke e bërë procesin me aplikim nga e-albania pa shmangur pushtetin vendor por duke e kontrolluar atë dhe ulur shkallën e subjektivizmit . Ndryshimet e shpeshta të ligjit dhe vonesa në hapjen e aplikimit për sezonin 2021 janë arsyet kryesore që çuan në konflikte pasi janë investime të rëndësishme për një biznes dhe aplikimi çdo vit e bën të pa sigurt. Janë dy arsye thelbësore që kjo situatë u krijua:
Hapja me vonese e aplikimit në fund të majit ( 17 maj 2021 u ndryshua ligji për menaxhimin e plazheve) ndërkohë që sezoni turistik kishte filluar në fillim të majit duke u reklamuar nga vetë Ministria Turizmit.
Arsye e dytë janë disa ndërhyrje në ligj e paragraf ku fjala “përpara“ (subjektit hotelier) u zëvendësua me “pranë” , që do të thotë mund te mos e kesh të sigurt marrjen në shfrytëzim pavarësisht se ligji i 2020 i jep përparësi hotelit në vijë të parë. Megjithëse aplikimi u hap me vonesë, deri në javën e dytë të qershorit, shumë pak subjekte ishin pajisur me lejë. Pas marrjes së lejes duhet të aplikosh përsëri në Ministrinë e Turizmit për ndërtimin e infrastrukturës së shërbimit, duke e kthyer stresues një proces fare të thjeshtë. Për arsye të vonesës të gjithë subjektet e shtrinë aktivitetin e çadrave në territorin e vitit të kaluar pasi turizmi kish filluar dhe grupet turistike nga lindja apo Kosova ishin prezent. Pothuaj te gjitha strukturat e shërbimit të ngritura ishin pa lejë. Nuk ka asnjë arsye serioze që ndarja e menaxhimit të bregdetit të mos bëhet që në janar që subjektet të kenë kohe të investojnë me standarde.
Një arsye e rëndësishme e acarimit të situatës mes subjekteve qiramarrës është dhe zgjatja e afatit të shfrytëzimit në 5 vjet. Kjo i humb të drejtën përgjithmonë në shfrytëzim këtij biznesi” nënvizon Topuzi.
Në lidhje me ardhjen e turistëve, Topuzi nuk sheh që përplasjet e krijuara për plazhet apo situata e sekuestrimit të shezloneve të ketë ndonjë ndikim pasi ata që vizitojnë plazhet e Shqipërisë janë kryesisht popullsi të Ballkanit të mësuar me këtë lloj kaosi. Gjithsesi episodet shqetësuese me turistët e huaj po bëhen të vazhdueshëm dhe kjo po kthehet në problematike.
Në Sarandë, mediat raportuan për sulmin ndaj një pushuesi me ngjyrë nga dy të rinj, ndërkohë që edhe një familje tjetër ukrainase raportoi se ishte shqetësuar dhe nuk ndjehej e sigurt. Rasti i një aksidenti tjetër po në Sarandë përfshiu një familje sllovene të cilët gjithashtu sapo kishin mbërritur në Shqipëri për pushime duke e shtuar këtë në numrin e incidenteve që po shoqërojnë sezonin e këtij viti./monitor
/m.j