Katër shtetas egjiptianë kanë humbur jetën, si pasojë e zjarrit që ka përfshirë Qipron. Flakët kanë përparuar dhe kanë lënë pas 55 mijë hektarë tokë të djegur dhe sipas mediave të huaja një 67-vjeçar është arrestuar.
Detajet e rrethanave në të cilat 4 egjiptianët humbën jetën janë tronditëse, pasi ata u bllokuan nga zjarri dhe u dogjën të gjallë. Ata po punonin në fushat e domateve dhe papritur u rrethuan nga zjarri. Ata u përpoqën të largoheshin, por u kapën nga flakët.
Departamenti i Pyjeve njofton se situata e zjarrit që shpërtheu dje në fshatin Arakapa dhe u përhap në fshatrat e tjerë, është përmirësuar por mbetet jashtëzakonisht e vështirë.
Ndërkohë Policia ka marrë dëshminë e 67-vjeçarit, ende i paidentifikuar, i dyshuar për zjarrëvënie. Por ai ka mohuar akuzën dhe pretendon se ka njoftuar autoritetet për zjarrin e rënë./m.j