Këshilli Drejtues i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK), ka mbajtur sot takimin përmbyllës për këtë vit, me ç’rast ka reaguar ndaj institucioneve qendrore dhe lokale të shtetit lidhur me qasjen e tyre kundrejt mësimdhënësve në të gjitha komunat e Kosovës. Në këtë takim u theksua se nëse kërkesat e parashtruara nga SBASHK nuk realizohen nga Qeveria, SBASHK mund të shkojë në greva që nga janari i vitit 2016. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka përgëzuar të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës për punën e bërë dhe për përfundimin e gjysmëvjetorit të parë. Ai ka kujtuar pastaj për gjithë aktivitetet dhe arritjet që janë bërë në vitin 2015 duke i dhënë vend meritor edhe sfidave të shumta.
Nëpërmjet një deklarate dërguar medieve, KD i SBAShK ka sqaruar se janë bërë vërejtje serioze ndaj kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa për mosmiratimin e Ligjit për të Punësuarit në Arsimin e Republikës së Kosovës në vitet ’90-99, për moszbatimin e Ligjit mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për mos fillimin e implementimit të Ligjit mbi Sigurimin Shëndetësor, për mos-heqjen e defekteve në Ligjin mbi KES-in, për mos-planifikimin në Buxhetin e vitit 2016 të mjeteve për implementimin e Ligjit për të punësuarit në arsimin shqip të Kosovës në vitet 90-99, për mungesë së gatishmërisë së duhur për dialog dhe për çështje tjera. Jasharaj, por edhe anëtarët e Këshillit Drejtues duke përcjellë opinionet dhe zërin e mësimdhënësve nga gjithë komunat e Kosovës, kanë bërë vërejtje të shumta në adresë të institucioneve qendrore e lokale të shtetit.
Ata kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa e kanë kritikuar për mosmiratimin e Ligjit për të punësuarit në arsimin e Kosovë në vitet 90-99, për moszbatimin e Ligjit mbi Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për mos fillimin e implementimit të Ligjit mbi Sigurimin Shëndetësor, për mos heqjen e defekteve në Ligjin mbi KES-in, për mos planifikimin në Buxhetin e vitit 2016 të mjeteve për implementimin e Ligjit për të punësuarit në arsimin shqip të Kosovës në vitet 90-99, për mungesë së gatishmërisë së duhur për dialog dhe për çështje tjera.