Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar abuzime në vlerën e 11.7 miliardë lekëve në sektorin e tatim-taksave, të shkaktuara kryesisht nga shkeljet me marrëveshjet hidrokarbure. Raporti evidenton shmangie nga skema e TVSH dhe evazion fiskal nga kompanitë e naftës. Abuzime me rreth 72 milionë lekë janë gjetur edhe me rimbursimet e barnave.
Abuzimet në sektorin e hidrokarbureve i kanë shkaktuar humbje në miliarda lekë buxhetit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në raportin e auditit për periudhën janar—shtator të këtij viti, një dëm ekonomik prej 11.7 miliardë lekësh në sektorin e tatim taksave.
Sipas KLSH-së, shkeljet më të mëdha janë bërë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë me koncesionet hidrokarbure dhe AKBN, në vlerën totale 11.5 miliardë lekë.
Në raport evidentohen shmangie nga skema e TVSH-së, në mënyrë të parregullt e të pa argumentuar për punime dhe shërbime të nënkontraktorëve në marrëveshjet hidrokarbure, dhe evazion fiskal nga mosdeklarimi i prodhimit të shtuar të naftës bruto si pasojë e përdorimit të holluesit në shtresë .
KLSH konstaton abuzime në vlerën e 72 milionë lekëve edhe në Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave në Tiranë, nga përfitime të padrejta rimbursimi që janë bërë nga shteti për dy kompani faramaceutike, përfitime këto të shoqëruara me elementë të evazionit fiskal./Ora