Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të diele në Velipojë, ku 4 anëtarët e një familje kanë mbetur të plagosur, si pasojë e shpërthimit të disa bombolave të gazit në një hotel.
Mësohet se të plagosur kanë mbetur Klarisa Gjika 15 vjeç, Danjela Gjoka 18 vjeç, Enriko Gjoka 19 vjeç dhe Alketa Gjoka 30 vjeç, pronarë të hotelit, të cilët ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa janë transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
I lënduar ka mbetur edhe djali i familjes, i cili ka marrë vetëm një plagë të lehtë në krah dhe nuk ka pranuar të shkojë të spital për t’u mjekuar.
Shkaqet e shpërthimit të bombolave të gazit nuk dihen ende, por gazetari i “Report Tv”, Ergys Kavaja bën me dije se në magazinë, në pjesën e pasme të hotelit, ka patur një numër të konsiderueshëm bombolash dhe një cisternë gazi, një pjesë e të cilave kanë shpërthyer, duke shkaktuar edhe ngjarjen e rëndë.
Shpërthimi duket të kenë i fuqishëm, pasi i gjithë kati i parë i hotelit është shkatërruar dhe orenditë e këtij objekti kanë fluturuar jashtë, ndërsa gjithcka brenda është shkrumbuar. Fatmirësisht, Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë bërë të mundur nxjerrjen e 5 bombolave të pa plasura, duke shmangur pasoja edhe më tragjike të kësaj ngjarje.
Në hotel, në momentin e shpërthimit nuk ka patur pushues, por kanë qenë vetëm anëtarët e familjes Gjoka, kryefamiljarja Alketa Gjoka dhe fëmijët e saj.
Shpërthimi i bombolave të gazit është një gjë që përsëritet shpesh në vendin, tonë pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për shmangien e përdorimit të tyre.
Vetëm disa ditë më parë, Kreu i Shërbimit Zjarrfikës së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, tha se rreth 90% e zjarreve në banesa ndodhin për shkak të shpërthimit të bombolave të gazit, ndërsa apeloi që ndërrimi i bombolave të bëhet vetëm nga njerëz të licencuar. Po ashtu Goxhaj vuri alarmin edhe për përdorimin e bombolave të ashtuquajtura portokalli, të cilat nuk duhet të rimbushen për t’u përdorur sërish.
/b.h