Zëvëndës ndihmës sekretari për Europën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip T. Reeker është takuar ditën e sotme me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Rel shkruan se Reeker bisedoi me Pendarovskin për forcimin e partneritetit të dy vendeve si dhe për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.
Pendarovski u shpreh se mos anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE reflekton negativisht mbi situatën politike në vend, pasi vendi i tyre, sipas Presidentit i ka mbushur të gjitha kushtet e nevojshme.
“Anëtarësimi në BE mbetet qëllimi ynë strategjik dhe Bashkimi Evropian duhet të gjejë një mënyrë për të vlerësuar atë që është bërë deri më tani dhe të mundësojë zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Çdo vonesë e mëtejme për fillimin e negociatave rrit euroskepticizmin e qytetarëve dhe reflekton negativisht mbi situatën politike në vend”, tha Pendarovski.
Ndërsa Reeker në anan tjetër u shpreh se beson se Maqedonia e Veriut do t’i nisë shumë shpejt bisedimet me BE-së, ndërkohë që më tej tha se SHBA ia ka bërë të qartë Bollgarisë se procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE duhet që të vazhdojë.
“Maqedonia e Veriut është në rrugën për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE. Unë jam i bindur që kjo do të ndodhë. Ne ia kemi bërë të qartë Qeverisë bullgare, si dhe një numri të anëtarëve të BE-së se ky proces duhet të ecë përpara… Por, ne kemi besim se kjo do të ndodhë. Diplomacia mund të sjellë një ndryshim të madh, duke ndihmuar vendet të gjejnë mënyra për t’i zgjidhur problemet dhe për të bërë përparim”, tha Reeker.
Ndërkohë që dy ditë më parë Reeker vizitoi Shqipërinë. Ai në vendin tonë u takua me Ramën, Bashën si dhe Princ Lekën, ndërsa ndryshe si në Maqedoninë e Veriut, ai nuk u takua me Presidentin Ilir Meta. Në një pronocim për Zërin e Amerikës, një zyrtar i DASH, u shpreh se Reeker nuk e takoi Metën për arsye të agjendës, por nuk u bë e ditur, se cila axhendë ishte e zënë e Metës apo e Reeker./m.j