Aplikimet për të administruar një “stacion plazhi” do të hapen sërish gjatë javës së ardhshme. Lajmin e bëri të ditur Ministri i Turizmit Blendi Klosi, i cili evidentoi se ka ende një numër të konsiderueshëm parcelash për të cilat nuk është aplikuar.
“Ne do na duhet ta mbyllim këtë punë në 3, 4 ditë përsa i përket gjithë problematikave që kemi të evidentuara për parcelat e aplikuara, të kemi një aplikim të ri në dy ditët që do të vijnë dhe të kemi një nxitje tashmë nga vetë strukturat tona qoftë qendrore, qoftë lokale, për t’u kërkuar këtyre poseduesve të plazhit aplikim urgjent dhe të kemi një mundësi që të veprojmë shpejt”.
Nga Durrës ku u takua me përfaqësues të institucioneve lokale, Klosi tha se do të ketë një përfaqësi që do të koordinojë procesin.
“Do të ketë një përfaqësi nga Bashkia me personat e autorizuar për realizimin e këtij procesi, po ashtu nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Inspektorati Shtetëror i Turizmit, si dhe prefektura për të koordinuar problematikat”.
Ndërkohë në plazhin e Durrësit 160 parcela do të jenë publike pra pa pagesë dhe do të menaxhohen nga Bashkia e këtij qyteti.
/a.r