“Asnjë virus nuk e ndalon dot që të hyjë. Për fat te keq, “Delta” ka ndryshuar simptomatologjinë, pasi po paraqitet më shumë si rrufë se sa si Covidi. Ngatërrohet me rrufën dhe gripin. Shenja kryesore janë dhimbje koke, fyti dhe rrufë, pastaj vjen temperatura. Çdo person që ka këto shenja të kërkojë tamponin, pasi mund të jetë Covid dhe Delta”, u shpreh për A2 Skënder Brataj.
Kreu i Urgjencës Kombëtare thotë se vala tjetër do të vijë më herët nga sa ishte parashikuar. Sipas tij, brenda verës Europa do të dominohet nga varianti “Delta” dhe kjo edhe për shkak të Kampionatit Europian të Futbollit.
“Ka një periudhë inkubacioni shumë më të vogël se alfa dhe mendohet që brenda verës 90% e dominimit në Europë do të jetë nga Delta. Sipas meje, do të ketë një rritje në të gjithë Europën në një të ardhshme shumë të shpejtë”.
Eksperti i Komitetit Teknik bën thirrje për rritjen e vaksinimeve në vend. Edhe pse ato nuk të mbrojnë plotësisht nga infektimet, të dyja dozat të shpëtojnë nga vdekja.
Në Shqipëri ende nuk janë konfirmuar raste pozitive me mutacionin “Delta”. Sipas studimeve, ai është 50% më i transmetueshëm dhe më agresiv se varianti britanik. Vaksinimi me të dyja dozat konsiderohet mundësia e vetme për t’i shpëtuar komplikacioneve. Në vendin tonë, nga 974 mijë të vaksinuar, mbi 400 mijë i kanë marrë të dyja dozat./m.j