Përfaqësuesi i Eurojust, Filippo Spiezia teksa foli për operacionin ndërkombëtar ku u arrestuan 38 persona tha ndër të tjera se kriminaliteti shqiptar dhe ai italian tashmë janë në nivelet më të larta botërore.
Në konferencën e përbashkët me SPAK dhe Policinë Italiane, Spiezia tha se duhet të luftohet pastrimi i parave, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ketë zhvillim të ekonomisë.
“Duhet të intensifikojmë kushtet për të siguruar ligjshmërinë dhe zhvillimin ekonomik.
Pa luftuar pastrimin e parave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.
Kriminaliteti shqiptar dhe ai italian janë në nivelet më të larta të kriminalitetit botëror. Kjo e sotme është e rëndësishme dhe është një udhëtim që duhet të vazhdojë”, tha ndër të tjera përfaqësuesi i Eurojust.
Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero de Raho nënvizuar se është e domosdoshme që vëmendja e madhe e hetuesve të jetë edhe tek ata që ai i quajti “tradhtia e institucioneve”, duke iu referuar faktit që SPAK dhe Antimafia italiane kanë zbuluar si pjesë e këtij rrjeti edhe punonjës të policisë së shtetit shqiptar, apo edhe prokurori i Vlorës, Maksim Sota.
Nga ana e tij, kreu i SPAK, Arben Kraja tha: “Është me rëndësi bashkëpunimi i Eurojust. Shqipëria ka përfaqësuesin e saj pranë Eurojust dhe ne po shkëmbejmë sa më shumë informacione”.
g.kosovari