Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se sot Shqipëria ka të kontraktuara 2 milion e 900 mijë doza vaksinash ose gati 3 milionë në total.
Duke folur në emisionin “Real Story” në News24 ajo u shpreh: “Kontrata apo marrëveshja kuadër me programin, ku kemi 1 milion e 140 mijë doza. Sot Shqipëria ka kontraktuar dhe ka në dispozicion 2 milion e 900 mijë doza vaksinash të kontraktuara. Po vijojmë për të kontraktuar të tjera që deri në pranverën e ardhshme çdo qytetar të jetë i vaksinuar. ‘’- tha Manastirliu.
Ministrja shtoi, se po hartohet një plan që vaksinimet të shtrihen dhe nëpër banesa, në koordinim me mjekun e familjes. Manastirliu tha se nuk ka asnjë rast me variantin DELTA të koronavirusit në Shqipëri.
“Ka shkëmbime shumë të mëdha. Shqipëria duke u konsideruar si një vend me risk të ulët. Shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht në ato vende që nuk duan analizat e PCR. Ajo që ju them me siguri është që ne nuk kemi indikacione që varianti DELTA po qarkullon në vend, por jemi në alert. Po vlerësojmë simptomat, përpos simptomave klasike të variantit të virusit, ka simptoma që varianti i ri i shfaq. Janë të gjithë të alertuar, nëse ka simptoma që ngjajnë me ato të variantit DELTA dhe ajo plus. Nga sinjalet e deritanishme të laboratorëve, ende nuk është kapur sinjal për variantin DELTA. Mostrat që janë të dyshuara, janë aty, për tu çuar në laboratorët e referencës. Qoftë në Londër dhe në Berlin kemi laboratorë referente, por për momentin rezulton që ky variant s’ka hyrë në Shqipëri”, shprehet ajo.
Ogerta Manastirliu i ftoi qytetarët që të bëjnë vaksinën, duke theksuar që është mirë të jenë të mbrojtur në shtator.
E pyetur lidhur me muzikën live në klub-e ministrja e Shëndetësisë tha se nuk duhet ta bëjmë më gabimin e verës së shkuar. “E kemi parë këtë film. Para një viti ju e dini se çfarë rritje pati në infektimeve për shkak të vajtjes në lokalet e natës. U bë një mësim për të gjithë botën. Nuk duhet ta bëjmë më atë gabim. Ne kemi marrë masa shumë të kujdesshme, edhe kur jemi hapur jemi hapur me faza. Sot kemi sërish masa të reja në fuqi, është shtyrë orari me një orë, muzika ka mbetur në orën 22:00 por kështu e ka vlerësuar Komiteti i Ekspertëve. Na duket sikur virusi nuk është mes nesh, në fakt është aty”, tha Manastirliu.
g.kosovari